Gripi i Derrit ishte një virus shumë i përhapur vite më parë, nga i cili u alarmuan njerëzit.
Rreth dhjetë persona dyshohet se deri më tani kanë ndërruar jetë në Kosovë si pasojë e prekjes nga gripi, përkatësisht virusi H1N1.
Viktima e fundit me grip të derrit dyshohet se u shënua javën që shkoi dhe ishte një 35-vjeçare nga një fshat i Gjakovës.
Ndërkohë që rajoni më i prekur nga ky virus po del të jetë Gjilani.
Aty së fundi kanë vdekur tre persona. Institucionet shëndetësore refuzojnë të deklarohen rreth numrit të të vdekurve në nivel vendi nga ky virus.
Ndërkohë që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thonë se nuk kanë të dhëna rreth numrit të personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e gripit të derrit.
Në njërin nga spitalet private në Shkup, gjatë javës së kaluar ndërroi jetë 40 vjeçar nga qyteti i Gjilanit, K.J., pasi që i njëjti dyshohet të jetë prekur nga virusi H1N1, apo siç njihet ndryshe ‘Gripi Derrit’. Ai fillimisht u trajtua në spitalet kosovare, por që më vonë familja të njëjtin vendosi që ta dërgojë në Shkup, atje edhe ku ndërroi jetë.
Kështu kanë deklaruar në kushte anonimiteti zyrtarë nga spitali i Gjilanit.
“Ai u trajtua këtu. Kishte simptoma të virusit H1N1. Por, më pas, familja vendosi që ta dërgojë në Shkup për trajtim. Atje ku edhe ndërroi jetë”, kanë deklaruar zyrtarë nga spitali i Gjilanit.
E nga gripi i derrit nga qyteti i Gjilanit, gjatë muajit shkurt të këtij viti kanë ndërruar jetë edhe Ramadan Jashari, nga fshati Pogragjë i kësaj komune, i cili kishte punuar si infermier në Gjilan, si dhe një 61-vjeçare nga Pozhorani i Komunës së Vitisë.
Por megjithatë, këto shifra nuk po konsiderohen alarmante nga zyrat që merren me shëndetësi në vend edhe pse javën që shkoi nga Gripi i Derrit dyshohet së ndërroi jetë edhe Dëshira Lleshdedaj në Klinikën Infektive të QKUK’së.
Ajo fillimisht ishte trajtuar në spitalin rajonal të Gjakovës. Aty mjekët kanë konstatuar se Dëshira u prek nga virusi H1N1. Kështu ka thënë për Express, Kirurgu nga Gjakova, Sabaudin Bytyqi.
“Ne e operuam pacienten në fjalë. Nuk kishte simptoma të ndonjë sëmundje tjetër. Dyshimi më i madh është tek gripi i derrit”, ka deklaruar Bytyqi për Express, javën që e lamë pas.
Nga gripi i derrit gjatë fundit të muajit maj të ëktij viti po dyshohet se ka vdekur edhe një grua nga Ferizaj. Ajo fillimisht ishte prekur nga gripi sezonal duke ndërruar jetë më vonë në QKUK me dyshimet se më vonë u prek me grip të derrit.
“Familja e ngushtë po thonë se ajo, u prek nga gripi i derrit. Cike e re, nuk ka qenë sëmurë kurrë nga asnjë sëmundje”, kanë deklaruar familjarë të së ndjerës.
Por, edhe pas gjithë këtyre rasteve të vdekjeve që dyshohet se kanë ardhur nga gripi i derrit në Kosovë, institucionet që merren me monitorimin e shëndetit publik, nuk po i shohin rastet si shqetësuese. Deklarojnë që situata nuk e kalon pragun epidemiologjik.
Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë deklaruar se nga tetori i vitit të kaluar e deri më 29 mars të këtij viti 2019 në IKSHPK janë raportuar gjithsej 54 mijë e 949 raste të dyshimta në grip (ILI), si dhe 6 mijë e 296 raste ARI (Infeksion Respirator Akut). Ndërkohë 107 raste të tjera janë raportuar me SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut).
Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit, dhe Podujevës.
Tutje sipas Institutit Kombëtarë, gjatë javës së 12-të janë raportuar 3.577 raste ILI, 229 raste ARI dhe 13 raste SARI.
Në këtë institucion theksojnë se në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri sot janë testuar gjithsej 1016 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 422 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 41.5 %).
Sipas subtipit 345 mostra Influencë A e pa- subtipizuar dhe 76 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 dhe 1 mostër rezulton pozitive në AH3.
Ndërkohë nga ana e Institutit Kombëtar refuzojnë të japin detaje rreth numrit të personave të cilët kanë vdekur si pasojë e virusit të derrit. Deklarojnë se për shifrat të dhëna mund të japin zyrtarë nga Klinika Infektive e QKUK’së.
Por në QKUK nuk janë deklaruar për këtë çështje. Asnjë nga zyrtarët e Infektivës nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës për këtë cështje.
Kohë më parë, zyrtarë nga Infektiva e QKUK’së, kanë deklaruar se vetëm deri në muajin shkurt 5 persona kanë vdekur nga gripi i derrit. Ndërkohë janë edhe disa pacientë të tjerë që përgjatë këtyre javëve kanë vdekur me dyshimet se janë prekur nga virusi AH1N1.
Ndryshe, gjatë këtij viti në shumë vende të rajonit është shpallur epidemi nga influenca e gripit, pasi shumë njerëz kanë vdekur nga ndërlikimet e shkaktuara nga ky virus. Në Bosnjë dhe Hercegovinë tashmë kanë vdekur 36 persona, në Serbi 19 persona, në Mal të Zi 6, derisa në Maqedoni 2 persona.
Sido që të jetë, në Institutin Kombëtar thonë se po i përcjellin me vëmendje ecuritë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke intensifikuar punën në terren.
Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës, thonë zyrtarë nga ky institut, derisa shtojnë se asnjëra nuk e kalon pragun epidemik