Kush tjetër pos Vjosës do të jetë kandidat i LDK-së për Kryeministër?

18:39 | 04 August 2019

Duket në LDK nuk do jetë Vjosa Osmani kandidate për Kryeministre.

Kryetari i Degës së LDK’së në Lipjan, Imri Ahmeti, ka thënë se asnjëherë s’kanë diskutuar për emrin e kandidatit për Kryeministër.

Ka thënë se përpos Vjosa Osmanit edhe shumë të tjerë mund të jenë kandidat për Shef të Qeverisë së ardhshme.

“Edhe Vjosa dhe shumë të tjerë kanë kapacitete dhe mund të jenë kandidat për Kryeministër. Aktualisht nuk është biseduar anjëherë zyrtarisht për këtë çështje”, ka thënë Ahmeti, në një bisedë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, të shtunën, e votoi Isa Mustafën për Shef të Partisë, me aklamacion, pa asnjë kundërkandidat.

Ndërkohë, ende s’janë votuar pozitat tjera duke përfshirë Kryesinë, Nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm.

Imri Ahmeti thotë se s’ka asnjë pretendim për asnjë pozitë pavarësisht se emri i tij është përmendur për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm ose Nënkryetarit.

“Nuk jam fare i interesuar as për anëtar i Kryesisë. Dega e Lipjanit është ndër degët më të mëdha. e pesta në nivel vendi”, ka thënë Ahmeti të dielën.

Imri Ahmeti është Kryetar i Lipjanit në dy mandatet e fundit. Ka fituar herën e fundit pa balotazh.

Ka thënë se ka lexuar nëpër media shkrimet për lakimin e emrave për Shef të Qeverisë por ka thënë se asnjëherë s’ka pasur takim dhe biseda për një temë të tillë.

Ndryshe, lideri i konfirmuar i LDK’së, Isa Mustafa, sot në një reagim në FB, e pranoi se kishte dallime të mëdha se kush do të bëhej Shef i LDK’së. Prandaj, ka thënë se pranoi të bëhet Kryetar i Parisë së Rugovës për t’i eliminuar dallimet që ishin brenda LDK’së. Ka thënë se tash të bashkuar do të dalin fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Kuvendi ynë unifikoi diversittin tonë të mendimit dhe të veprimit, që emrues të përbashkët e ka programin tonë politik të qendrës së djathtë, dhe për më shumë e ka Kosovën tonë. Kuvendi na bashkoi të gjithëve. Të gjitha gjeneratat dhe të gjitha aspiratat. Kështu, bashkë, do të shkojmë drejtë fitores së madhe në zgjedhjet e ardhshme. Kur jemi bashkë, s’ka kush që na del para!”, ka thënë Mustafa, një ditë pasi mori mandatin katërvjeçar të Kryetarit të LDK”së.

Lidhja Demokratike e Kosovës është në opozitë ndërsa ka numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin e Kosovës. Ka numrin më të madh të komunave nën udhëheqje. Ndërsa, në secilin sondazh del e para.

Isa Mustafa para se të bëhet Shef për herë të tretë i LDK’së ka mbajtur pozitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ka udhëhequr Kryeqytetin për dy mandate. Ka qenë pjesë e Kabinetit të ish-Presidentit Fatmir Sejdiu. Pasluftës ka qenë pjesë e Bordit të Universitetit të Prishtinës. Para luftës ka mbajtur pozitën e Ministrit të Financave në Qeverinë në Ekzil të udhëhequr nga Bujar Bukoshi. Ka pasur pozitë ekzekutivie edhe në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë përkatësisht në Komunë e Prishtinës.

Vitin e fundit, Mustafa është përballur me probleme shëndetësore, për çka po e vazhdon ende trajtimin në Gjermani.

Komento: