Kushtet e Xhavit Halitit për koalicion

12:21 | 12 Janar 2021

Xhavit Haliti vendos kushte për koalicion: Nëse pajtohemi, na bashkohen, nëse nuk pajtohemi gjithkush në shtëpi të vet.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti ka thënë se kjo parti nuk e ka ndërmend që të ndërrojnë akronimin e partisë për zgjedhjet e 14 shkurtit. Megjithëkëtë Haliti theksoi se janë të hapur për ata që duan të bëjnë marrëveshje, shkruan Gazeta Express.

“PDK ka kushtet e veta kështu që deri tash nuk ka diçka zyrtare, ende nuk kemi zyrtarizu asgjë. S’kemi negociata e kemi një kusht që nuk e ndërrojmë akronimin e partisë, nëse dojnë marrëveshje bëjmë vetëm emra të përveçëm të ndonjë partie eventuale që pranon kushtet tona”, ka thënë Haliti.

Nënkryetari i PDK’së theksoi se bëjën koalicion me parti politike vetëm nëse të njëjtat pajtohen që emërtimi i kolaicioonit të jetrë PDK.

“T’i marrëveshje bon por ne nuk dalim me akronim tjetër, dalim vetëm me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), jo me i fut edhe partitë tjera në akronim, në emërtimin e koalicionit, vetëm me PDK. Në qoftëse pajtohemi, na bashkohen, në qoftëse nuk pajtohemi gjithkush në shtëpi të vet”, ka thënë ai për Indeksonline.

Haliti ka thënë se janë duke punuar maksimalisht që të dalin si parti e parë në këto zgjedhje.

“Ne do të përbëjmë përpjekje maksimale që të dalim në vend të pare si parti, rezultatet janë çështje e votuesve, angazhimi dhe të konkurrojmë në një program të pranueshëm para elektoratit dhe të besueshëm”, theksoi Haliti.

Vlen të përmendim faktin se ditë më parë është përfolur për një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe Nismës së Fatmir Limajt.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se deri në këto momente nuk kanë pranuar asnjë deklarim për koalicion.

“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet të njoftojnë KQZ-në deri më datë 12 janar dhe deri në orën 18:00. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike. Deri në këto momente nuk kemi pranuar asnjë deklarim për koalicione”, ka thënë më tutje ai për Express.

Elezi ka folur edhe për disa rregulla të cilat duhet t’i kenë parasysh partitë politike.

“Partitë politike të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë. Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje”, ka thënë ai.

Më tutje, zëdhënësi i KQZ-së tha se partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër.

“Partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit”, ka deklaruar Elezi.

Komento: