Kushtetuesja e implikon edhe KQZ-në, Valdete Daka po e pret aktgjykimin e plotë

17:17 | 24 Dhjetor 2020

Gjykata Kushtetuese e implikon edhe KQZ-në, Daka po e pret aktgjykimin e plotë.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë, i lë pak faj edhe KQZ-së.

Ky organ po e pret publikimin e aktgjykimit të plotë, ndërsa lidhur me këtë situatë ka folur drejtori i Institutit Kosovar të Drejtësisë, Ehat Miftaraj.

Gjykata Kushtetuese të hënën në mbrëmje e ka rrëzuar Qeverinë e Kosovës, duke e konsideruar ekzekutivin të pazgjedhur. Sipas gjyatës, vota e ish-deputetit të dënuar me burgim, Etem Arifi, ka qenë e pavlefshme.

Kushteuesja ka konstatuar se anëtari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI) nuk është dashur të certifikohej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) si kandidat për deputet, ndërsa KQZ-ja, që në seancën e Kushteueses e kishte mbrojtur vendimin e saj, ka heshtur deri sot.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express lidhur me këtë çështje, ndërsa zëdhënësi Valmir Elezi sot ka thënë se pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Kushtetuesja, do të veprojnë konform obligimeve.

“Aktualisht jemi në pritje të publikimit të Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për të parë të gjitha obligimet që dalin për KQZ-në dhe do të veprojmë në përputhje me to”, tha Elezi.

Drejtori i Institutit Kosovar të Drejtësisë, Ehat Miftaraj, e ka shpjeguar këtë situatë, ndërsa ka thënë se deri në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka pasur kufizim ligjor që ata që kanë qenë të dënuar në tre vitet e fundit të certifikohen si kandidatë për deputetë.

“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të marr dje, ka qenë në fuqi Aktgjykimi i Gjykatës Supreme AA-Uzh. Nr. 16/2017, marr më 19 shtator 2017, ku kishte vendos se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor, e që do të thotë se kandidati duhet me vendim të formës së prerë të gjykatës të shpallet fajtor dhe gjykata t’i ketë shqiptuar edhe dënim plotësues, “heqjen e të drejtës për t’u zgjedhur”. Në këtë drejtim, deri më tani, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme nuk ka pasur kufizim ligjor për kandidatët që kanë qenë të denuar në tre vitet e fundit për t’u certifikuar për kandidatë për deputetë ku përfshihet edhe deputeti i denuar Arifi”, tha Miftaraj.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në seancën elektronike të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje, më 2 dhjetor, kishte thënë se ata nuk guxojnë ta decertifikojnë apo të mos e certifikojnë asnjë kandidat nëse në aktvendimin për dënimin e tij nuk specifikohet e drejta për të kandiduar për deputet. Në atë rast, sipas Dakës, KQZ-ja do ta shkelte Kushtetutën.

“KQZ-ja nuk guxon ta decertifikojë apo të mos e certifikojë një kandidat nëse në aktvendim nuk ceket decidivisht që është marrë e drejta për të kandiduar, në të kundërtën. KQZ-ja do të bënte shkelje të Kushtetutës. KQZ-ja deri në vitin 2017 ka pasur obligim që të kontrollojë përshtatshmërinë e kandidatëve për asamble apo Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së vendimit të Supremes, KQZ-ja është urdhëruar të certifikojë dhe ka ndaluar këtë praktikë të kontrollës. Neve nuk na është lejuar ta zbatojmë kontrollën. Kështu është kandiduar Arifi dhe KQZ-ja e ka certifikuar”, ishte shprehur Daka.

Pas pyetjeve të parashtruara nga gjykatësja e Kushtetueses, Gresa Cakaj-Nimani, në seancën publike që ishte mbajtur po atë ditë, Daka ishte shprehur se KQZ-ja nuk ishte në gjendje t’i parandalonte personat me akuza që të kandidojnë për deputetë.

“Ne tashmë, edhe më tutje, deri sa nuk ndryshohet apo nuk jepet nga një verdikt nga Gjykata Kushtetuese, nuk do mund t’i parandalojmë edhe në të ardhmen të gjithë ata persona, të cilët edhe pse janë të dënuar, të kandidojnë për Parlament të Republikës së Kosovës”, kishte thënë ajo.

Në vendimin e shpallur të hënën, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se një dënim i formës së prerë ia pamundëson kujtdo që të kandidojë për deputet apo të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvend.

“Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në konstatimin e dytë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kësisoj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se vendimi për zgjedhjen e Qeverisë “nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, të martën dhe të mërkurën u takua me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre.

Komento: