Kushtetuesja pa përgjigje për Haradinajn, a do të mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme?

23:20 | 14 August 2019

Ditë më parë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit.

Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Kushtetuese interpretimin e dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit.

Më 19 korrik të këtij viti, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi që kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Mirëpo, dhjetë ditë më vonë, pra më 29 korrik pasi që edhe ishte intervistuar nga Dhomat e Specializuara, Haradinaj vendosi që t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën për interpretimin e dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit.

Deri te kjo kërkesë e tij kishte ardhur si pasojë e paqartësive politike që ishin krijuar pas dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit.

Por, pavarësisht kësaj, që nga dorëheqja e tij partitë politike kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Se a do ta pamundëson mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendimi i Gjykatës Kushtetuese, këtë e shpjegon njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu.

Baraliu ka thënë se këto janë dy procese të ndara dhe se me dorëheqjen e Haradinajt në bazë të Kushtetutës së Kosovës ka rënë edhe Qeveria.

“Procesi i shpalljes së zgjedhjeve dhe mbajtjes së Kuvendit është një agjendë tjetër që nuk ndërlidhet me këtë kërkesë të kryeministrit sepse Qeveria është e rënë në bazë të Kushtetutës, është vepruar pikërisht në frymën kushtetuese ka vepruar edhe kryeministri, por edhe tani duhet të veprohet dhe të zbatohet Kushtetuta para se një iniciativë e një institucioni të tillë të ketë prioritet. Është çështje që duhet ta bëj Gjykata Kushtetuese në bazë të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullores së punës së punës së brendshme. Ndërkohë që me Kushtetutë është paraparë që Qeveria është e rënë dhe unë nuk dua të paragjykojë se çfarë përgjigje ndryshe do të duhej të ishte nga pretendimi i parashtruesit të kërkesës”, deklaroi Baraliu për lajmi.net.

Sipas tij, pavarësisht se këto janë dy procese të ndara, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të duhej ta merrte me prioritet dhe urgjencë kërkesën e Haradinajt.

“Është dashtë që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë me urgjencë dhe me prioritet këtë kërkesë të Haradinajt. Në qoftë se nuk ka bazë ta shpallë si të papranueshme ndërkaq Gjyakta Kushtetuese, Kushtetuta nuk e precizon në atë mënyrë fare që situatën çfarë ka qenë kryeministri që të ketë të drejtë për një iniciativë të tillë drejt Gjykatës Kushtetuese. Sido qoftë është në domenin e Gjykatës Kushtetuese ta pranojë kërkesën ose jo dhe ajo duhet bëhet nëse nuk është bërë deri më tash, unë nuk di se çështje më prioritare sepse e humb kuptimin. Dhe pretendimi ka qenë aty që të kryhen detyrat e përditshme siç ka qenë deri para dorëheqjes, ndërkohë që Gjykata duhet të jap përgjigje sa më shpejt por varet prej saj”, u shpreh Baraliu.

Komento: