BE-ja nuk sheh alternativa për dialog pa pezullimin e taksës.
Bashkimi Evropian vazhdon t’u bëjë thirrje institucioneve të Kosovës që ta pezullojnë taksën doganore të vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duke bërë të ditur se pa pezullimin e saj, dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, mbetet i bllokuar.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, tha për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian, së bashku me të gjitha vendet anëtare dhe Shtetet e Bashkuara Amerikës, i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta pezullojnë menjëherë tarifën doganore në mënyrë që dialogu të fillojë sa më shpejt.
“Gjendja e tanishme nuk është një alternativë dhe nuk ka alternativë për rifillimin sa më të shpejtë të dialogut mes dy palëve. Tarifat jo vetëm që pengojnë dialogun, por ato pengojnë edhe rrugën evropiane të Kosovës”, tha Kocijançiq.
Ajo ka rikujtuar edhe qëndrimin e mëhershëm të Mogherinit, sipas të cilës, ‘raundet e dialogut nuk do të ndodhin’, përderisa Prishtina të mos e pezullojë apo shfuqizojë tarifën doganore.
‘Momenti kur kushtet do të plotësohen, unë jam e gatshme ta thërras takimin e nivelit të lartë të dialogut në mëngjesin e ardhshëm’, kishte deklaruar Mogherini.
“Jam e sigurt se mund të përfitojmë nga një mjedis pozitiv, nëse e kemi atë, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Por, unë pres që të plotësohen kushtet e nevojshme dhe deri më tash nuk kam parë asnjë lëvizje që na shpie në atë drejtim”, ka cituar Kocijançiq shefen e saj, Mogherini.
Përderisa taksa doganore 100 për qind për importet nga Serbia mbetet në fuqi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve me autoritetet e Kosovës.
Por, në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përjashtuar mundësinë që Qeveria e tij të pezullojë apo shfuqizojë taksën, përderisa, siç ka thënë ai, Serbia të mos e njohë Kosovën si shtet.
Politologu Ramush Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë, se gjasat që pala serbe të kthehet në dialog pa largimin e taksës doganore, janë minimale.
“Pala serbe është deklaruar dhe e ka çështje jo vetëm parimi dhe morali, që pa heqjen e taksës gjatë bisedimeve që është vënë si një kusht shtesë, do të thotë nuk i vazhdon bisedimet me Kosovën. Ajo mund t’i vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian dhe Serbia i ka të rëndësishme integrimet evropiane ose me misionet ndërkombëtare që janë në Kosovë, por me Kosovën nuk ulet në tavolinë pa u hequr taksa”, theksoi Tahiri.
Kurse, analisti Muhamet Mavraj, konsideron se nëse do të ketë një presion më të madh nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë, ajo do të kthehej në bisedime, edhe nëse taksa nuk shfuqizohet.
“Pala serbe do të rikthehet në dialog nëse fokusohet presioni mbi Serbinë. Presioni ka qenë krejt i gabuar dhe vetëm kundër Kosovës”, tha shkurt analisti Mavraj.
Dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që prej se autoritetet në Prishtinë vendosën taksën doganore më 21 nëntor të vitit 2018 prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Ky proces po lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kusht i domosdoshëm i përparimit të dy shteteve drejt integrimit evropian.
Arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, po e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke insistuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë këtë marrëveshje brenda vitit 2019, e cila do të përfundonte dhe me njohje reciproke.