Qytetarët e Kosovës si duket vazhdojnë ta shohin si zgjidhje më të mirë, ikjen nga vendi.
Petrit Tahiri është vetëm një nga qytetarët e shumtë të cilët po prisnin para Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, për të aplikur për vizë pune.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se po kërkon punë sezonale në vendet e perëndimit derisa fajin ia hedhi politikanëve të cilët sipas tij janë shkak që të rinjtë po e braktisin vendin.
Ai tha se vetëm njerëzit e kryeministrit nuk kanë nevojë për ta braktisur vendin pasi ata realisht kanë tashmë një vend të sigurt pune.
“Unë atje e kam një shok, ai me tha se ka nevojë për punëtorë ndërsa unë i thash se nëse don mund të vijë. Kosovën nuk e kishim lanë, po ishalla nuk vazhdojnë kështu politikanët tonë, nëse vazhdojnë kështu na detyrojnë me e lanë nuk kemi çka me ba tjetër. Realisht njerëzit e kryeministrit që po i shtinë në puna ata jo se po i shohim edhe vet, kjo është veç njëra prej ambasadave e lëri më të tjerat. Secili po aplikon për kushte më të mira, një jetë më të mirë, një punë më të mirë dhe eksperiencë më ndryshe për shkak se janë lodhur njerëzit”, tha ai.
E një tjetër qytetarë, Benjamin Kurti, i cili po aplikonte për vizë turistike tregoi se në pritje e sipër ka dëgjuar hallet e qytetarëve të tjerë se ata po largohen për një jetë më të mirë.
“Kam prit diku prej orës 11 që kam ardh deri tash, kam apliku për një vizë familjare për shtetin e Suedisë, është pak maltretim për shkak se këtu kanë pru për me apliku për Kroaci edhe disa shtete të tjera çka që po shkakton tollovi. Në fakt përderisa ishim duke pritur pata një bisedë me një vajzë e cila ishte duke shkuar me apliku për vizë pune në Kroaci, më herët tha kam pas vizë studentore tash vizë pune edhe tha jam duke shku për një jetë më të mirë në Kroaci me punu me e pas një të ardhme më të mirë”, tha ai.
Afër zyrës së dorëzimit të dokumenteve është një numër i taksistëve që për çdo ditë po shohin numër të madh të aplikueve.
Selim Gashi tha se për çdo ditë ka një valë të qytetarëve që po ikin nga Kosova.
“Gjithmonë është kështu kallaballëk. Arsyeja s’kemi Qeveri, s’kemi asgjë po e shihni edhe vet”, tha ai.
I pyetur se a mendon ai ta braktis vendin tha se po të kishte mundësi sot do të ishte nisur.
“Valla sonte kisha dal edhe kerrin qetu e kisha lanë se kisha marrë hiq, qetu ja kisha lanë merre grahi, bile me ja pa hajrin ti, s’ka kurgjo, sen s’ka ktu na mytën”, tha ai.
Ikja e njerëzve nga Kosova kohëve të fundit është bërë shqetësim për të gjithë.
Për këtë fenomen, edhe Kuvendi i Kosovës sot po debaton duke synuar arritjen e një zgjidhjeje.