Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së, përmbledhje e asaj se çka ndodhi mbrëmë

08:15 | 31 Korrik 2026
kuvendi-i-jashtezakonshem-i-ldk-se,-permbledhje-e-asaj-se-cka-ndodhi-mbreme

Të enjtën kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)  rikonfirmoi Lumir Abdixhikun në postin e kryetarit, pasi shumica e delegatëve nuk mbështetën nismën për shkarkimin e tij.

Në punime morën pjesë rreth 327–328 delegatë, ndërsa deputeti i kësaj partie, Arben Gashi për Kanal10 bëri të ditur se votimi u zhvillua në mënyrë të fshehtë me pyetjen: “A jeni për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku?”

Nga votimi, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit, ndërsa 152 votuan pro, duke bërë që nisma të mos kalojë dhe Abdixhiku të vazhdojë drejtimin e partisë.

Para votimit, Abdixhiku e cilësoi nismën si të gabuar dhe të papërshtatshme, duke thënë se energjia e shpenzuar në përplasjet e brendshme do të duhej të ishte orientuar drejt zgjedhjeve. Ai kritikoi edhe gjuhën e përdorur gjatë javëve të fundit në debatet brenda partisë.

Në anën tjetër, deputeti Armend Zemaj, një nga iniciatorët e nismës, tha se lidershipi duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe kërkoi ndryshim në drejtimin e LDK-së. Pas debateve, Kuvendi ndërpreu diskutimet dhe kaloi në votim me dyer të mbyllura.

Pas shpalljes së rezultatit, Abdixhiku reagoi me një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale: “Ju faleminderit! I juaji, Lumiri.”

Komento: