Kuvendi i Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me kontratën e re për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike të hapësirave të këtij institucioni.
Përmes një njoftimi, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se kontrata e fundit për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike është lidhur para nxjerrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 350 euro.
“Në respektim të Vendimit të Qeverisë për Pagën Minimale, në kontratën e lidhur sot pagesa mujore për punëtorët e mirëmbajtjes/pastrimit do të jetë së paku 400 euro. Kuvendi është pranues i shërbimeve nga operatori ekonomik dhe sipas ligjit i njëjti kërkon shërbime, por nuk ka të drejtë të ndërhyjë në përzgjedhjen e stafit të operatorit ekonomik , me operatorin Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë.”, thuhet në njoftim.
Në njoftim janë dhënë edhe pagat minimale bruto për stafin e kontraktuar për pastrim dhe mirëmbajtje higjienike nga viti 2018:
Kontrata 21.12.2018 – 20.12.2021 – paga minimale bruto: 250 euro.
Kontrata 21.12.2021 – 20.03.2022 – paga minimale bruto: 250 euro.
Kontrata 01.04.2022 – 30.04.2022 – paga minimale bruto: 250 euro.
Kontrata 01.05.2022 – 31.10.2022 – paga minimale bruto: 280 euro.
Kontrata 01.11.2022 – 30.04.2023 – paga minimale bruto: 280 euro.
Kontrata 01.05.2023 – 30.04.2024 – paga minimale bruto: 300 euro.
Nga 16 shtator 2024, punëtorët e pastrimit në Kuvendin e Kosovës kanë hyrë në grevë, duke kërkuar rritje pagash.