Kuvendi i Mitrovicës së Veriut miraton ndryshimet në rregulloren për palestrën sportive, prioritet fëmijët dhe të rinjtë

19:25 | 17 Mars 2026
kuvendi-i-mitrovices-se-veriut-miraton-ndryshimet-ne-rregulloren-per-palestren-sportive,-prioritet-femijet-dhe-te-rinjte

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut miratoi ndryshimet dhe plotësimet në rregulloren për shfrytëzimin e palestrës sportive, me 12 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim. Vendimi pritet të rrisë transparencën dhe të vendosë prioritet fëmijët, të rinjtë dhe aktivitetet shkollore.

Kryetari i Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac, tha se vendimi i vitit 2023 do të zbatohet edhe në vitin 2025, por pas një periudhe analizash është konstatuar nevoja për ndryshime dhe plotësime të rregullores.

“Vendimi i vitit 2023 do të zbatohet rregullisht edhe në vitin 2025, në përputhje me mënyrën dhe suksesin e përdorimit të Këshillit të Sportit. Pas konsultimeve me ekipin juridik dhe drejtorin për sport dhe rini, është konstatuar se është e nevojshme të merret vendim për ndryshimin dhe plotësimin e kësaj rregulloreje”, tha Zaporozhac.

Nënkryetarja e Komunës, Adrijana Hoxhiq, shtoi se ndryshimet synojnë përdorimin më të drejtë të palestrës dhe prioritetin tek fëmijët, të rinjtë dhe aktivitetet shkollore.

“Me rregulloren e re theksohen prioritetet e përdorimit të palestrës sportive. Ndryshimet kanë për qëllim që salla e kuvendit të vihet më shumë në funksion të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe që gjithçka të bëhet e qasshme për qytetarët në përputhje me parimin e interesit publik”, tha Hoxhiq.

Kundër ndryshimeve u shpreh asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Doli-Ferati, duke i konsideruar ato të paplota dhe të paqarta.

“Materiali është i mangët dhe nuk e shoh qëllimin e kësaj rregulloreje. Rregullorja paraprake ka qenë më e detajuar dhe në përputhje me ligjet”, tha Doli-Ferati.

Në kundërpërgjigje, Hoxhiq sqaroi se ndryshimet janë detaje shtesë dhe nuk e ndryshojnë thelbin e rregullores ekzistuese.

“Rregullorja e vjetër ka pasur 14 nene, rregullorja e re ka 17 nene. Nuk janë ndryshuar esenca, por janë shtuar detaje që rrisin qartësinë dhe transparencën”, tha Hoxhiq.

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ermir Azemi, kërkoi më shumë transparencë dhe krahasim të materialeve.

“Është dashur të na dërgohet edhe rregullorja paraprake që të mund ta krahasojmë dhe të shohim ndryshimet”, tha Azemi.

Në përfundim, Zaporozhac riktheu theksin te interesi publik dhe funksioni i palestrës.

“Kjo bëhet në mënyrë që vendimet e mëparshme të mos i shfuqizojmë, por ta ndryshojmë dhe plotësojmë këtë ekzistuesen, prandaj është paraqitur tani këtu. Nga ana tjetër, pajtohem plotësisht që të gjitha vendimet e kuvendit të mëparshëm, të cilat janë marrë ashtu si janë marrë, t’i vëmë në njëfarë mënyre jashtë fuqisë dhe që gjithçka të jetë në interes të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut si dhe në funksion të mbrojtjes dhe sportit në këtë moment”, tha Zaporozhac.

Gjatë seancës, përveç rregullores së palestrës, asamblistët diskutuan edhe çështje të tjera që prekin qytetarët, përfshirë mbeturinat dhe ndriçimin publik në disa lagje të qytetit./KP

Trump për Iranin: Nuk jemi gati të largohemi ende, por do të largohemi në të ardhmen e afërt

Komento: