Nis debati për Luginën në Kuvend, përmenden vështirësitë e shqiptarëve atje.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës po diskutohet për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ismajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për vizitën që Komisioni për Arsim dhe Komisioni për Administratë kanë bërë Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në qershor të këtij viti.
Ai tha se kushtet për shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përkeqësuar.
Kurteshi tha se edukimi i mirëfilltë i shqiptarëve të Luginës së Preshevës po pengohet nga institucionet e shtetit të Serbisë.
“Problemi i teksteve shkollore nuk është zgjidhur, numri i nxënësve është zvogëluar, të diplomuarit në Kosovë bredhin rrugëve të Luginës për shkak të mosnjohjes së diplomave nga Serbia, bibliotekat e shkollave janë shumë të varfëra”
Kurteshi përmendi edhe vizitën e deputetëve në Këshillin Kombëtar Shqiptar në Bujanoc ku kanë mësuar se Këshilli është reduktuar nga 29 në 15 anëtarë dhe buxheti i tij është zvogëluar për 40%.
Sipas Kurteshit të punësuarit në administratë, spitale dhe institucione publike është shumë i vogël i shqiptarëve.
“Numri i të punësuarve në administratën e shtetit është simbolik, në spitalin regjional të Vranjës në të cilin punojnë 600 punëtorë e ku 40% e pacientëve janë shqiptarë, punon vetëm një shqiptar, në Ministrinë e Arsimit të Serbisë punon vetëm një shqiptar, në kadastër nuk punon asnjë shqiptar, në Komunën e Medvegjës nga 87 të punësuar vetëm 3 janë shqiptarë, në Preshevë është mbyllur Gjykata Themelore kurse në Medvegjë është mbyllur dega e Fakultetit Ekonomik”.