Të premten seanca e Kuvendit, në rend dite Ligji i Pagave dhe ai për zyrtarët publikë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, sot tha se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, diskutuan për seancën e re, e cila do të mbahet të premten.
Tahiri u shpreh se në seancën e së premtes do të jenë shumë pika, ndër to, Ligji i pagave dhe ligji për zyrtarët publikë.
“Seanca është caktu për të premten, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kjo është ndër seancat më me rëndësi për shkak se në trajtim vjen ligji i shumëkërkuar, Ligji i Pagave, i cili fatkeqësisht e ka emrin Ligji i Pagave, po nuk dihet se është rroga e një zyrtari publik, për shkak se nuk ka as koeficient e nuk ka as vlerë as koeficient. Po ashtu, në këtë seancë do të vjen edhe Ligji për Zyrtarët Publikë, që për mua personalisht, ai ligj nuk është Ligji për Zyrtarët Publikë, por është ligji për kapjen e zyrtarëve publikë, për shkak se interferohet drejtpërdrejt në kundërshtim me Bashkimin Evropian dhe sigmën në sistemin e meritokracisë, pra dora politike, po zgjatet shumë në kapje të zyrtarëve publikë. Po ashtu, janë edhe disa ligje tjera që janë në plotni, në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.”, tha Tahiri.
Ai e pati një kërkesë për Qeverinë, që të kthehet në fokus te jeta e qytetarëve.
“Të ketë fokusin te problemet serioze ekonomike dhe në sektorët vital, si në shëndetësi dhe arsim, t’i len axhendat e ngushta, në mënyrë që me ligj me shtri kapjen e shtetit gjithandej.”, shtoi Tahiri.