Kuvendit i kërkohet sigurim i plotë dhe i pakushtëzuar shëndetësor për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

10:38 | 04 December 2024
kuvendit-i-kerkohet-sigurim-i-plote-dhe-i-pakushtezuar-shendetesor-per-viktimat-e-dhunes-seksuale-gjate-luftes-ne-kosove

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka bërë të ditur se në seancën e plenare të Kuvendit të caktuar për datën 5 dhjetor 2024, pritet të shqyrtohet edhe Projektligji nr.08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Sipas QKRMT-së, me projektligjin aktual, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mund të përfitojnë nga sigurimi shëndetësor të paguar nga shteti, vetëm nëse konstatohet statusi i tyre i varfërisë.

Kjo qendër i ka dorëzuar një letër kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Grupit të Grave Deputete si dhe Grupeve Parlamentare, duke propozuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të përfitojnë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor pa asnjë kushtëzim.

“Propozimi synon përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor për këtë kategori, duke eliminuar barrierat administrative dhe kushtet që aktualisht lidhen me statusin ekonomik të individit”.

“Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë ndër grupet më të cenueshme në vend, më shumë se 90% prej tyre përballen me probleme shëndetësore kronike si pasojë e dhunës së përjetuar. Përkundër kësaj, mbulimi i shpenzimeve mjekësore për ta mbetet i kufizuar dhe i kushtëzuar nga verifikime shtesë, të cilat janë shpesh të papërshtatshme dhe përkeqësojnë stigmën e lidhur me këtë kategori”, thuhet në reagim.

Komento: