Guxo ‘fiton’ një ulëse më shumë në Kuvend, Nasuf Bejta në radhë pas Vasfije Krasniqit.
Ish-kundërkandidati për President i Vjosa Osmanit, Nasuf Bejta, do të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së Vasfije Krasniqi-Goodman nga pozita e deputetes.
Kështu partisë Guxo do t’i shtohet edhe një deputet. Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt 2021, Bejta kishte marrë 5 mijë e 763 vota.
Deputetët e kësaj partie janë pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Para gati dy muajsh, nga Guxo dha dorëheqje deputetja Doarsa Kica-Xhelili. Pas dorëheqjes, ajo iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndryshe, Krasniqi-Goodman, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes, për shkaqe shëndetësore, shkruan Reporteri.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se për këtë dorëheqje ka njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konnjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit.
“Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit”, ka shkruar Krasniqi.
Ajo ka thënë se do të vazhdoj angazhimin publik për Kosovën në SHBA, sidomos në Kongresin Amerikan.
“Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejt do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë”, ka shkruar ajo.