Ky do të jetë gjyqtari i gjysmëfinales Argjentinë-Kroaci

22:15 | 11 December 2022

Mësohet se kush do të jetë gjyqtari i gjysmëfinales Argjentinë-Kroaci.

Gjyqtari italian, Daniele Orsato dhe ai i VAR-it, Massimiliano Irrati, janë caktuar për të gjykuar gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror Katar 2022 në mes të Argjentinës dhe Kroacisë.

Ndeshja zhvillohet të martën e 13 dhjetorit me fillim nga ora 20:00 në Katar, shkruan “football-italia”.

Orsato doli si një nga kandidatët kryesorë për ta gjykuar edhe Finalen e këtij Botërori, veçanërisht pasi ishte ai që gjykoi edhe ndeshjen hapëse të turneut në mes të nikoqirëve Katarit dhe Ekuadorit, e më pas edhe fitoren e Argjentinës 2-0 ndaj Meksikës në fazën e grupeve.

Ai pushoi gjatë gjithë Rundit të 16-të dhe në çerekë-finale, por kthehet në gjysmëfinale.

Orsato ka gjykuar vetëm një herë Argjentinën, dhe atë në fitoren 2-0 ndaj Meksikës në këtë garë, kurse me Kroacinë njihet mirë pasi ka gjykuar tri ndeshje të saj – dy fitore dhe humbjen 1-0 ndaj Anglisë në EURO 2020.

Presioni është ngritur lart, veçanërisht pasi Portugalia dhe Holanda akuzuan gjyqtarët në Botërorin 2022 në Katar se po e favorizojnë Argjentinën.

Disa zyrtarë janë kritikuar për paraqitjet e tyre, hiç më larg se në çerekë-finalet e kësaj gare.

Komento: