Delegacioni shtetëror për dialog do të ketë vetëm me rol monitorues.
Qeveria është përcaktuar t’ia lërë në diskrecion Federica Mogherinit të vendosë se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë, është leximi që vëzhgues të procesit të negociatave i kanë bërë Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror, shkruan sot “Koha Ditore”.
Delegacioni, për të cilin flet Projektligji, shihet vetëm si monitorues i procesit.
Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se Projektligji nuk i përmbahet zotimit kryesor nga sponzorizuesit e tij për t’ia kufizuar presidentit Hashim Thaçi fushëveprimin në dialog, e njëkohësisht nëpërmjet marrjes së kryesimit të delegacionit, të riorientojë dialogun larg nga ideja e presidentit për rivizatim kufijsh.