Ky është 28 vjeçari që vdiq sot në aksidentin e rëndë, pak ditë më parë iu mbyt edhe vëllai

11:33 | 21 February 2023

Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 02:30 në Rrethrrotullimin e Ciflikut Dimal, aty ku automjeti tip “Benz”, ka dalë nga rruga dhe më pas ka marrë flakë duke i marrë jetën 28-vjeçarit.

Drejtuesi i mjetit shtetasi Kliton Merkaj, banues në Berat, ka ndërruar jetë brenda në automjet, pasi është djegur.

Te afërm të viktimës bëjnë me dije se pak ditë më parë ka ndërruar jetë edhe vëllai i tij 30-vjeçar, i cili u mbyt në lumë.

Dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Viktima nuk ka arritur të hyjë në rrethrrotullim edhe pse natën ka pasur ndriçim në zonë. Mjeti është përplasur me shtyllën e rrugës duke shkulur atë nga vendi e më pas ka përfunduar në kanal.

Sipas një dëshmitareje banesa e të cilës është afër vendit të ngjarjes së aksidentit, ajo ka qenë në gjumë dhe së bashku me burrin është ngritur pasi dëgjuan zhurmën. Sapo u afruan makina shpërtheu në flake.

Banorët e zonës deklaruan se kjo rrethrrotullimi aty ka qenë shpesh herë burim aksidenti. Edhe pse është e pajisur me ndriçim, mjetet lëvizin me shpejtësi të lartë duke u gjetur pa përgatitur për rrugën që duhet të ndjekin.

Ata thonë se vendosja e disa barrierave sinjalizuese do të bëjë që drejtuesit e mjeteve të sinjalizohen për të ulur shpejtësinë.

Komento: