Ngacmimi seksual ndaj një vajze në autobus pritet t’i kushtojë me paraburgim një burri 62-vjeçar, që u arrestua dje në Prishtinë.
Gazeta Sinjali raportoi sot se i dyshuari e ka ngacmuar seksualisht një vajzë 23-vjeçare në autobusin e kompanisë “Shkëndija” rrugës për në kryeqytet.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që është arrestuar në lidhje me këtë rast është Xhemajl Ferizi, i cili është nga komuna e Obiliqit.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit tashmë ka urdhëruar masën e ndalimit policor, teksa brenda afatit ligjor pritet të bëhet edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.
Ai po dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht një vajzë 23-vjeçare, teksa po udhëtonin në autobusin e kompanisë “Shkëndija” që ishte nisur nga Mitrovica në drejtim të Prishtinës.
Bazuar në informacionet e para, rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, tëksa autobusi kishte arritur në fshatin Mazgit, kur edhe ndodhi rasti që e trishtoi viktimën.
Kjo situatë i ka krijuar asaj pasiguri, frikë dhe shqetësim të madh, me ç’rast ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin, se si ishte ngacmuar seksualisht.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar posa ka arritur në Prishtinë dhe më pas është shoqëruar në stacionin në Obiliq, ku pas përfundimit të procedurave është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.