Ky është biznesi më fitimprurës në Kosovë

09:40 | 02 August 2019

Tregtia është biznesi më fitimprurës në Kosovë.

Sektori privat në Kosovë nga afaristë dhe ekspertë të ndryshëm vazhdimisht është vlerësuar i vështirë për të operuar për shkak të sfidave të shumta dhe rrethanave aktuale, që sipas tyre, nuk lejojnë fitim të kënaqshëm.

Por, kjo siç duket nuk ka ndikuar te qytetarët, në dëshirën dhe iniciativën e tyre për të hapur biznese të reja, kryesisht ndërmarrje të vogla, por jo edhe ndërmarrje të mëdha.

Vetëm gjatë këtij viti, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, agjenci kjo që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, janë regjistruar më shumë se 4.049 biznese.

Edhe gjatë kësaj periudhe, tregtia mbetet veprimtaria më atraktive për afaristët.

Dëfrim Krasniqi, administrator i sistemit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga kjo shifër, 3.988 biznese janë të regjistruara si ndërmarrje të vogla, në kategorinë prej 1 deri në 9 punëtorë, ndërmarrje të mesme 44 biznese që numërojnë deri 49 punëtorë, ndërkaq vetëm 3 ndërmarrje konsiderohen të mëdha me më shumë se 50 punëtorë.

Një dyqan të vogël me produkte ushqimore, në fillim të këtij viti, e ka regjistruar edhe Lumnije Berisha në një nga lagjet e Prishtinës.

Ajo tregon se në këtë dyqan punon vetë dhe bashkëshorti i saj dhe arsye e regjistrimit të dyqanit të vogël, është për shkak të mjeteve financiare.

“Sivjet unë kam filluar punën në dyqanin tim. Shes artikuj ushqimor dhe furnizohen nëpër markete të mëdha.

Rritja dhe zhvillimi i sektorit privat është një nga elementet kryesore për zhvillimin e gjithmbarshëm socio-ekonomik në një vend, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, ky sektor përveç që ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, ul shkallën e varfërisë, ai po ashtu krijon mundësi për rritjen e shkallës së punësimit dhe përmirësimit të standardit jetësor.

Eksperti për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjendja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë është shumë e rëndë.

Në këtë amulli politike, Gërxhaliu thotë se me gjithë sfidat, sektori privat është duke mbajtur qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik- social në Kosovë.

“Në këtë drejtim duhet të bëhet më tepër për ekonomi. Dhe, nëse bëhet për ekonomi, target duhet të jetë fuqizimin i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Mirëpo, në Kosovë se përkundër asaj që flitet për procese ekonomike bëhet shumë pak. Pozita e sektorit privat, në veçanti e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nuk është në pozitën e dëshiruar”.

“Brenga më e madhe për institucionet e Kosovës është fakti që pjesa dërmuese e bizneseve ekzistuese të mesme dhe të vogla, janë ato që ofrojnë shërbime tregtare. Dhe kjo ndikon në rritjen e dallueshmërisë në mes eksportit dhe importit . Edhe më tutje Kosova vazhdon të jetë eksportues i parasë së gatshme”, shpjegon Gërxhaliu.

Ai konsideron se është koha e fundit që politika duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe jo gjithmonë politika të dëmtojë sektorin privat dhe proceset ekonomike.

“Nëse bëhet një analizë krahasuese me vendet e rajonit, Kosova është në situatë alarmante. Por, dua të besoj që politikë-bërësit në Kosovë, një ditë do ta kuptojnë se mbi interesat e shtetit nuk mund të jenë interesat e grupeve të caktuara dhe të partive politike. Dhe, nëse mendohet për shtet, atëherë shtylla e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së shtetit duhet të jetë zhvillimi ekonomik bazuar në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mbi të gjitha në edukim dhe në sundim të rendit dhe ligjit”, vlerëson Gërxhaliu.
Rritet numri i bizneseve të reja
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ditë më parë ka thënë se pavarësisht strukturës së re të qeverisë së ardhshme në Kosovë, ajo duhet të jetë e përkushtuar për të vepruar në mënyrë që të rritet fleksibiliteti dhe konkurueshmëria në sektorin privat.

Ndryshe, në Kosovë janë të regjistruara më shumë se 183 mijë biznese. Nga kjo shifër, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vetëm 2.800 ndërmarrje janë të mesme dhe të mëdha që numërojnë nga 10 deri në më shumë se 50 punëtorë.

Komento: