Ky është çmimi momental i miellit në tregun e Kosovës

14:22 | 09 March 2022

Si pasojë e luftës në Ukrainë, kohët e fundit është vërejtur ngritje e çmimit të shumë produkteve bazike.

Tani pritet që të rritet edhe çmimi i miellit e grurit, për çka kanë reaguar mullisët. Kreu i kësaj shoqate ka thënë se vendi do të përballet edhe me ngritjen e çmimit të bukës në nivel vendi, që është produkt bazik.

Lufta në Ukrainë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, si pasojë e së cilës pritet shtrenjtimi i produkteve të miellit e grurit. Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, paralajmëron shtrenjtim të miellit edhe në Kosovë deri në 60 euro për 100 kilogram .

“100 kilogram miell sot ende jemi duke shitur me 52 euro, ndërsa sot me importu grurë kishte me dalë çmimi 600 euro një tonë miell. Kurse, miellin që jemi duke shitur tash është me çmim të rezervave tona, përndryshe çmimi i importit të grurit është ngritur shumë. Sot, aktualisht është 400 euro çmimi i grurit për një tonë të importuar, që i bie se me këtë ?prodhohet? një çmim 600 euro për një tonë miell, minimum”, tha Zejnullahu për RTK.

Zejnullahu paralajmëroi edhe shtrenjtim të bukës deri në 50 centë në tërë vendin.

“Sot, mielli në Evropë është 80 euro për 100 kilogram ose 800 euro për një tonë miell, a pritet të rritet edhe çmimi i bukës, po, tash buka duhet ta mbërrijë çmimin 50 centë, më tepër kishte me qenë e paarsyeshme. Furrat që kanë punuar nën këtë çmim sot duhet me mbërri çmimin e bukës 50 centë. Ndërsa disa furra i ngritën çmimet shumë herët me 50 centë”, tha ai.

Për shkak të luftës në Ukrainë, përveç shtrenjtimit të karburanteve që vazhdon çdo ditë, janë shtrenjtuar edhe shumë produkte tjera bazike si sheqeri,vaji e të tjera.

Komento: