Videon të cilin e ka publikuar gjatë ditës së djeshme Indeksonline, ku disa kadetë amerikanë këndojnë për Kosovën, sigurisht është meritë e një shqiptari.
Arbnor Shala, i cili ka lindur në Kosovë, por gjatë kohës së luftës ka shkuar në Amerikë, tashmë ka arritur të futet në ushtrinë amerikane.
Në ditën e diplomimit për kadetë, ai së bashku me kolegët e tij i ka kënduar Kosovës, dhe, sipas tij, kjo nuk ishte aspak e vështirë për ta bindur gjeneralin.
Në një prononcim për Indeksonline, Shala ka treguar se para diplomimit ia kishte treguar historinë e tij kolegëve dhe gjeneralit ushtarak dhe me këtë rast kishte edhe këtë kërkesë në ditën e diplomimit.
Sipas Shalës, gjenerali i tij kishte pranuar pa hezitim dhe në këtë mënyrë edhe ishte realizuar dëshira e tij.
“Para se të diplomoi iu kam treguar kolegëve dhe gjeneralit ushtarak, rastin e luftës në Kosovë. Nga kjo u emocionuan të gjithë dhe iu thash se kam nderin të ja kthej Amerikës ndihmën që ka dhënë për popullin e Kosovës. Nuk ishte aspak e vështirë t’i bindja dhe menjëherë gjenerali im pranoi pa asnjë hezitim”, ka thënë Shala.
Videon ku këndohej për Kosovën e kishte publikuar vet ai në rrjetin social në “Facebook”, duke thënë se ndihet falënderues ndaj SHBA-së që ka shpëtuar familjen e tij gjatë luftës në Kosovë.
“Kolegët dhe unë këndojmë ritëm në ditën e diplomimit. Nëse dëgjoni, këndojmë për Kosovën. Për ata që nuk e dinë Shtetet e Bashkuara kanë shpëtuar familjen time dhe unë nga pastrimi etnik dhe kemi ardhur në këtë vend të shkëlqyer si refugjatë lufte. Duke qenë kështu në gjendje ta këndonim këtë ditën e diplomimit ishte një nga momente krenare, jo vetëm për mua dhe familjen time, por për çdo shqiptar”, kishte shkruar ai në Facebook.
Shala gjithashtu ka folur edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës, që pritet të bëhet ditën e premte.
Ai thotë se ndihet krenar që tani edhe Kosova po bëhet me ushtri dhe se ky është një mesazh për armiqtë se nuk mund ta shkelin më Kosovën.
“Për Kosovën që po bëhet me ushtri të premten është një gjë që po më bën të ndihem krenar dhe më në fund po i bëjmë këta hapa të mëdha për të ardhmen tonë. Ma merr mendja që jemi krejt të lumtur për këtë vendim dhe besoj që po i tregojmë armiqve se nuk mund të na shkelin, sidomos kur e kemi përkrahjen e vendit më të fuqishëm në botë-SHBA”, ka shtuar ai.
Më tej, ai ka treguar edhe për procedurën e futjes së tij në ushtrinë amerikane, duke thënë se ishte mjaftë e gjatë.
“Ishte një procedurë e gjatë për t’u futur në ushtri. Amerika i ka 5 degë të ushtrisë (1.3 milionë ushtarë) dhe në këtë degë që jam unë janë 40 mijë ushtarë gjithsej. Procesi për futjen time këtu ka zgjatur disa muaj deri sa më kanë pranuar sepse e shikojnë edhe të kaluarën. Tani është procedura e mjekësisë dhe në fund të thërrasin për betimin dhe për të shikuar a do të dalësh tradhtarë për Amerikën”, ka theksuar për fund Arbnor Shala.
Ndryshe, Shala së bashku me familjen e tij kishte shkuar në Amerikë në moshën 5 vjeçare, në kohën kur shumë kosovarë u detyruan të largohen nga vendi për shkak të gjenocidit serb në Kosovë.