Ky është kushti i Haradinajt për tu bërë sërish kryeministër

08:48 | 23 July 2019

Ramush Haradinaj sërish ka ambicje për tu bërë kryeministër i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj, ka folur rreth mundësisë që pas kthimit të tij nga Haga, të kandidojë për ta rimarrë postin e kryeministrit të vendit

Haradinaj ka thënë se nëse në Gjykatën Speciale nuk ka aktakuzë të ngritur, do ta kërkojë të drejtën e tij për ta marrë mandatin të cilin thotë se ia ka kthyer popullit.

“Nëse nuk kam aktakuzë të ngritur, nëse shkoj vetëm në intervistim dhe kthehem, do t’i afrohem popullit, pra peng nuk e mbaj veten as Kosovën. Nëse nuk kam aktakuzë, unë e kërkoj të drejtën me e marrë punën, sepse këtë punë ia kam kthy popullit, një ditë ia kërkoj prapë. Unë s’po bëj standarde të dyfishta. E me m’akuzu ndonjëherë unë s’kam çare pa u përgjigjë prapë, unë nuk jap dorëheqje prej qejfit, por nuk besoj që do të ketë aktakuzë më. Nisem prej asaj se s’do të kem, sepse i kam përfundu dy procese gjyqësore”, ka thënë Haradinaj të hënën në emisionin Pressing në T7

Ndërkaq, ai e ka komentuar edhe një herë dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk ka mundur të lejojë që ta çojë në Hagë kryeministrin e vendit.

“Kur shkon kryetari i Qeverisë, e bart nocionin, rrezikohet nocioni i sovranitetit. E krijojmë një precedent të keq kur shefi i Qeverisë së shtetit është i dorëzuar diku, unë nuk ia kam bërë këtë Kosovës. Nuk është se unë iu iku përgjegjësive, por s’kam dashur ta çoj Kosovën para hetuesve, e kam çu Ramushin. Nuk e çoj kryeministrin, as Kosovën para hetuesve, ashtu si ka pasë me i ndodhë Kosovës do të ishte një precedent, një model i keq i shtetit, do të ishte një dëshmi që ne jemi të prekshëm”, ka thënë Haradinaj.

Komento: