Ky është moti që na pret në ditët në vazhdim – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ky është moti që na pret në ditët në vazhdim

19:32 | 18 Dhjetor 2019

Një mot i butë dhe me reshje shiu na pret në ditët në vazhdim.

Fushat e presionit më të lartë që ndodhen mbi rajonin tonë, gradualisht do të fillojnë të dobësohen, ngaqë fusha të presionit të ulët nga Atlantiku po fillojnë të shtrihen mbi Evropën perëndimore, e nga fundjava një ciklon më i thellë pritet të depërtojë mbi rajon që do të sjellë vranësira, erë dhe të reshura shiu, e në vise malore borë, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se deri në fundjavë do të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe intervale me diell. Në vise të ulëta mjegull, që mund të mbetet edhe përgjatë ditës.

Në aspektin termik, do të mbretërojë mot i butë, me temperatura që mbeten mbi vlera mesatare, e në fundjavë temperaturat do të vazhdojnë të rriten më tutje”.

Sipas PW, “deri në fundjavë cilësia e ajrit do të mbetet në vlera të pashëndetshme, e me ardhjen e ciklonit në rajon, erërat që parashihen do të shpërndajnë ndotësit e grumbulluar këto ditë, derisa vlerat e cilësisë së ajrit do të zbresin në mesatare dhe të mira”.

Parashikimi për datat 19-23 dhjetor:

19.12 – Butë, kryesisht me vranësira. Në vise të ulëta mjegull, që mund të mbetet edhe gjatë ditës.

20.12 – Vranësira dhe intervale me diell. Në vise të ulëta, në mëngjes mjegull, që ditën pritet të shpërndahet. Paradite mundësi për riga lokale shiu.

21.12-22.12 – Në fundjavë mbetet mot i butë. Ditën e shtunë kryesisht me vranësira. Pasdite dhe në mbrëmje kohë pas kohe me shi. Të dielën, kryesisht vranët dhe me erë. Gjatë ditës dhe në mbrëmje shi. Vende-vende reshjet mund të jenë më intensive. Në vise malore borë.

23.12 – Kryesisht vranët, me erë, kohë pas kohe me reshje të dobëta shiu. Në vise malore mbi 1500m borë.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 0C deri në 6C, e maksimalet nga 10C deri në 12C. Në zonat ku mjegulla mbetet edhe gjatë ditës, temperaturat maksimale do të jenë më të ulëta.

Do të fryjë erë e lehtë jugore 1-5m/s, e ditën e diel erë mesatare dhe e fuqishme nga jugperëndimi 7-14m/s.

Shtypja atmosferike do të fillojë të zbres, e në fundjavë do të pësojë rënie të thellë nën vlera normale.

Komento: