Ky është njeriu që ka pajtuar mbi 1000 familje

22:20 | 09 July 2019

Është 63 vjeçar, por thotë se ka pajtuar me shumë se 1,000 familje.

Ali Januzi nga fshati Pasomë i Vushtrrisë, qysh në moshë të re, në vitet ’90-ta i ishte bashkuar grupit të pajtimit të gjaqeve.

Që nga atëherë Januzi ka pajtuar më shumë se 1,000 familje në rrethinën e Vushtrrisë dhe më gjerë.

63 vjeçari Ali Januzi ka thënë se pajtimi i gjaqeve është një mision që përveç mençurisë kërkon edhe shumë maturi.

“Sa i përket pajtimeve të gjaqeve, qysh në vitet e ‘90-ta, kur ka filluar aksioni për pajtimin e gjaqeve, unë kam qenë në atë lëvizje. Kuptohet në krye të atyre pajtimeve gjithmonë ka qenë profesori Anton Çetta. Unë kam marrë pjesë me grupin e Vushtrrisë, sepse edhe në këtë komunë ka pasur probleme të ngjashme si në gjithë Kosovën… Për të pajtuar duhet pasur gjithmonë ide, por edhe iniciativë. Kur e di që në fshatin apo lokalitetin tënd ka probleme të tilla secili mund të merr një hap për të provuar pajtimin e dy gjaqeve”, tha për RTV Dukagjinin, Ali Januzi.

Sipas Januzit, moment i faljes ndërmjet dy familjeve, është akti më i lartë, njëherit ndjenja më e mirë. Ai tregoi edhe për rrugëtimin e vështirë që kishte si pajtues gjaqeve.

“Në ato vite ka qenë një aksion gjithë popullor ku i gjithë populli ka marrë pjesë dhe ku i gjithë populli ka dhënë kontributin e vet. Në saja të asaj jehone dhe në saje të angazhimit të gjithë popullit, aksioni ka pasur sukses të madh. Janë pajtuar mijëra gjaqe”, shtoi Januzi.

Nuk u mjaftua me kaq. Ali Januzi disa vite më vonë iu bashkua edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën periudhë është shumë krenar.

Ai ka thënë se kontributi për vendin në cilëndo mënyrë ka vlerë të madhe.

“Pas 81-tës kam vepruar në grupe. Kam qenë në grupin revolucionar. Kemi shkruar parulla, kemi bërë propagandë, kemi mbajtur mbledhje”, thotë pajtuesi i gjaqeve.

Së fundmi Ali Januzi është shpallur edhe qytetar nderi i Vushtrrisë, për kontributin e dhënë në qytetin e tij përgjatë viteve.

“Falënderoj së pari gjithë qytetarët e Vushtrrisë sepse është meritë e tyre së pari. Merita ka edhe Komuna e lëvizja [për pajtimin e gjaqeve]. Po të mos ishte edhe qytetari i Vushtrrisë me forcat e mia ndoshta këtë veprimtari nuk do të kisha mundur ta realizoja”, tha mes tjerash Ali Januzi.

I futur në mendime, Ali Januzi sa fillonte të tregonte një ngjarje, kalonte tek tjetra sepse në mendjen e tij kishte me mijëra të tilla.

Komento: