Ndikimi i pandemisë, ky është numri i bizneseve që u regjistruan dhe u shuan gjatë 2021-tës.
Pandemia COVID-19 natyrisht se ka prekur të gjitha sferat e jetës në të gjitha shtetet e botës.
Masat e ndërmarra nga qeveritë e shteteve të ndryshme, pastaj kufizimet me qëllim të parandalimit të përhapjes së numrit të të infektuarve me virusin COVID-19, kanë prekur thellësisht edhe bizneset të cilat janë detyruar të mësohen me një formë të re funksionimi, shkruan lajmi.
Si pasojë e COVID-19, disa biznese të cilat nuk kanë pasur mundësi t’i përballojnë ndryshimet që kanë ndodhur janë shuar, ndërsa për disa të tjera, pandemia ka qenë mundësi e mirë për të nisur diçka të re në fushën e biznesit.
Pandemia ka ndikuar pa përjashtim edhe në Kosovë, por ndryshe nga viti 2019 dhe 2020, gjatë vitit 2021 janë regjistruar më shumë biznese.
Në një përgjigje për lajmi.net, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – MINT ka bërë të ditur se nga data 1 janar të vitit 2021 deri më 27 dhjetor të vitit 2021, janë regjistruar 10 mijë e 614 biznese.
“Prej datës 01.01.2021 deri me datë 27.12.2021 janë regjistruar 10614 biznese, ndërsa janë shuar 1580 biznese”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.
Në vitin 2019, sipas statistikave janë regjistruar 10.004 biznese, ndërsa në vitin 2020 janë regjistruar 9 mijë e 805 biznese.
Gjatë vitit që po lëmë pas, bizneset kishin kërkuar nga institucionet më shumë mundësi për zhvillimin e bizneseve të tyre.
Qeveria e Kosovës gjatë muajve të fundit kishte marrë vendim për lirimin e pjesërishëm të masave kundër COVID-19, duke lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve deri në ora 23:00.
Me masat e reja, institucionet i kishin mundësuar biznseve të gastronomisë që të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në ora 22:30.
Gastronomët kishin kërkuar nga institucionet që në hyrje të sezonës së dimrit të lejohet edhe hapja e klubeve të natës, por një gjë e tillë nuk ishte përmbushur si kërkesë nga Qeveria e Kosovës.
Masat kundër COVID-19, sipas gjitha gjasave pritet të qëndrojnë në fuqi edhe për festat e fundvitit, edhe pse zyrtarisht deri më tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë.
Kujtojmë se tashmë në Kosovë janë regjistruar edhe nëntë rastet e para me variantin Omicron të virusit COVID-19, ndërsa nga MSH-ja kanë bërë të ditur se masat aktuale kundër COVID-19 do të qëndrojnë në fuqi deri në një datë të pacaktuar.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se varësisht nga vlerësimi i situatës me pandeminë në vend, do të bëhet edhe ndryshimi i masave kundër COVID-19.