Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese.
Zakonisht viktima janë vajzat e mitura të cilat keqpërdoren seksualisht nga personat të moshës madhore. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Pejë dhe si rezultat një person është ndaluar, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, viktimë është një 9-vjeçare, e cila dyshohet se është dhunuar nga një person në rrugën “Zahir Pajaziti” në Pejë.
Denoncimi i rastit nga familjarët e viktimës e ka aktivizuar Policinë dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari është Arif Osmani, rreth 26-vjeçar i cili u arrestua gjatë ditës së djeshme.
Pas përfundimi të procedurave, ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën ‘Dhunimi’.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.
“Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.