Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq ka zbuluar planin e Serbisë për Kosovën të cilën sipas tij, do ta realizojnë këtë vit.
Gjuriq ka thënë se plani i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë serbe është t’i ndihmojë komunave serbe në Kosovë.
Ai po ashtu beson se plani do të realizohet gjatë vitit 2019, pa marrë parasysh të gjitha vështirësitë.
“Shteti i Serbisë do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur popullin e saj në Kosovë, si dhe interesat e saj legjitim. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria kanë shpenzuar energji të mëdha dhe përpjekjet do të vazhdojnë edhe më tutje. Asnjë nga Qeveritë e kaluara nuk ka bërë angazhim më të madh për Kosovën”, u shpreh Gjuriq për “TV Pink”, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se serbët në Kosovë kanë një jetë të vështirë me shumë brenga. “Ajo për çka nuk kemi shpesh mundësi të flasim është mënyra e jetesës së serbëve në Kosovë, me shumë shqetësime dhe brenga”, shtoi ai.
“Por, plani i presidentit Vuçiq dhe Qeverisë serbe është t’i ndihmojë të gjitha komunave sebe në Kosovë dhe ky plan do të realizohet në vitin 2019, pa marrë parasysh vështirësitë. Mitrovica e Veriut do të fitojë një qendër klinike, Graçanica një spital të ri, Trepçka një fabrikë të re të akulumatorëve. Pa marrë parasysh presionet, dëshirojmë të krijojmë kushtet që njerëzit tanë të qëndrojnë në vendbanimet e tyre”, theksoi Gjuriq.