
Sinjali mëson ekskluzivisht se zyrtari policor i arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe vepra të tjera penale, është Leon Ramadani, pjesëtar i Stacionit Policor në Ferizaj.
Arrestimi i tij është bërë të martën, pas hetimeve të zhvilluara nga IPK-ja, nën dyshimin se ishte përfshirë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, posedimin e paautorizuar të armëve, si dhe përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm.
Me aktvendim të prokurorit, Ramadanit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Gjatë veprimeve hetimore janë bastisur shtatë lokacione, ku janë sekuestruar edhe dy armë të shkurtra (revole), krahas një arme të gjatë të gjuetisë, dy thikave dhe municionit të llojeve të ndryshme.
Sipas dyshimeve fillestare të IPK-së, zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm në formë online. Ai dyshohet gjithashtu se kishte mbajtur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.
Në kuadër të këtij rasti janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë, në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”, ndërsa hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit policor.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.