Skenari i liberalizimit të vizave – A do të bindet Emmanuel Macron?
Franca mbetet një shtet kyç për temën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Tash që Gjermania ka ndërruar mendje pozitivisht i mbetet pikërisht asaj që ta bindë fqinjin e saj që t’i thotë po Kosovës. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung ka njoftuar se pikërisht këtë do ta bëjë gjatë qershorit ministri i brendshëm gjerman kur të takojë homologët e tij në Bruksel, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet për Parlamentin Europian. Vendimi megjithatë mbetet në duart e Emmanuel Macron i cili do t’i presë kosovarët dhe serbët më 1 korrik në Paris. Vizat mund të determinojnë shumëçka për vazhdimin ose jo të dialogut Kosovë Serbi.
Kryeministri Ramush Haradinaj, është shumë optimist që Kosova shumë shpejtë do të marrë përgjigje pozitive nga Bashkimi Evropian sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Pas një takimi që kishte pasur në Berlin me ministrin e Brendshëm gjerman, Haradinaj kishte thënë se ka marrë “PO”-në e Gjermanisë për vizat, dhe në Kosovë tashmë ka filluar edhe të urojë.
Por megjithatë shqetësues mbetet qëndrimi i Francës, së presidentit Emanuel Macron. Ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme të Francës, kishte thënë që ende nuk janë pjekur kushtet për ta heq regjimin e vizave.
“Franca bashkë me disa shtete të tjera anëtare beson se në këtë fazë nuk janë përmbushur të gjitha kushtet. Në fushën e sundimit të ligjit është bërë një përparim vetëm kohëve të fundit, por jo i mjaftueshëm për të ndalë korrupsionin”, kishte thënë ministri Jean-Yves Le Drian.
Ndërkohë përveç Francës, si skeptike për këtë çështje po shihen edhe Belgjika dhe Holanda. Këtë e konstaton në një artikull edhe gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, e cila flet për një ndryshim të qëndrimit gjerman në raport me çështjen e vizave, që ka befasuar të gjithë.
“Deri më tani, qeveria në Berlin ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të liberalizimit të vizave për vendin e vogël me pothuajse dy milionë banorë. Këshilli i BE-së ka nevojë për një shumicë të cilësuar që nuk është ende në horizont. Franca në veçanti ndalon lirinë e udhëtimit për Kosovën dhe Austria, Belgjika dhe Hollanda janë kundër. Kosovarët tani shpresojnë se Seehofer do të bindë ministrat e brendshëm të shteteve të tjera anëtare. Këshilli i ardhshëm i Ministrave do të mbahet në qershor”, thuhet në artikull.
Por zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thonë që një çështje e tillë nuk pritet që të jetë në rend dite gjatë muajit qershor, duke lënë të kuptohet kështu që Rumania si vend që është duke udhëhequr me BE-në, nuk do ta ngre si çështje.
Ky qëndrim i Rumanisë, lidhet edhe me raportet që shteti rumun ka me Kosovën, duke kujtuar faktin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Por në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën, qëndrimi i Francës është vendimtar, dhe nuk dihet nëse Merkel do të arrijë të bind Macronin që të përkrahë liberalizimin e vizave, njëjtë sikurse e bindi në Berlin që të kundërshtoj idenë e korrigjimit të kufijve.
Në një shkrim të publikuar dje nga gazeta gjermane me renome Frankfurter Allgemeine Zeitung thuhet se Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer do të angazhohet personalisht që t’i bindë homologët e tij gjatë qershorit që t’i thonë po liberalizimit të vizave. FAZ shkruan se qëndrimi i Ministri gjerman ka qenë befasues edhe për njerëzit e stafit të tij.
Në rast se Franca e kundërshton liberalizimin, dhe nëse këtu i bashkohet Holanda dhe shtetet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën e që janë në Zonën Shengen, atëherë liberalizimi i vizave është i pamundur.
Megjithatë është një opsion shumë pak i mundur që të kalojë liberalizimi i vizave për Kosovën në rast se vihet në votim. Nëse Sllovakia apo Greqia, njëra nga to, do të votonte ‘pro’, atëherë liberalizimi i vizave do të kalonte edhe pa Francën dhe Holandën. E analistët një gjë të tillë, pothuajse e cilësojnë si diçka të pamundur.
Ata thonë, se pa votën e Francës as vendet e tjera nuk do të kërkojnë që votimi të ecë përpara.
Roli kyç i Francës
Çështja që mbetet pikëpyetje është kalimi i votës me “shumicë të kualifikuar”. Për të arritur këtë numër duhet që për liberalizimin e vizave të votojnë më shumë se 55 për qind e shteteve anëtare të Shengenit, gjë që nuk përbën problem, por këto duhet të jenë vendet që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme në vendet që votojnë. Duke marrë këtë parasysh, nëse të gjitha vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën dhe janë në Schengen votojnë kundër dhe këtyre ju bashkëngjitet edhe Franca dhe Holanda që momentalisht janë kundër me deklarata, atëherë vota nuk do të kalojë.
Nëse njëra nga vendet që nuk e kanë njohur, Kosovën por janë pozitivisht të disponuara ndaj vendit, si Greqia dhe Sllovakia, do votonte pro, atëherë vota do të kalojë edhe pa Francën dhe Holandën. Mirëpo është vështirë të besohet se ndonjë votë do të kalojë pa bekimin e një vendi siç është Franca.