Ky është subjekti i vetëm serb që garon në komunat veriore

17:20 | 19 April 2019

Lista Serbe është i vetmi subjekt serb që garon në komunat veriore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbyllur afatin e aplikimit për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në komunat në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen më 19 maj.

Në afatin e paraparë kanë aplikuar tri subjekte politike, Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha aplikimet do të shqyrtohen nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim.

“Gjatë ditëve në vijim, zyra do të komunikojë me përfaqësuesit zyrtarë të subjekteve politike lidhur me ndonjë përmirësim apo korrigjim eventual nëse është e nevojshme dhe në fillim të javës do të paraqesë rekomandimet në KQZ lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë subjekti politik, ndonjë kandidati për të marr pjesë në këto zgjedhje”, thotë Elezi.

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan patën paralajmëruar pjesëmarrjen dy parti serbe, por tani shihet se është vetëm një parti.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se ky subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që, siç ka thënë ai, shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kërkuar prezencën e Misionit të OSBE-së në Kosovë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në komunatMitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

KQZ-ja, thotë Elezi, ka kërkuar që OSBE-ja të jetë e përfshirë në këtë proces zgjedhor si trup këshillëdhënës për çështje teknike.

Ai sqaron seOSBE-ja nuk do të ketë rol ekzekutiv apo funksional në raport të organizimit të zgjedhjeve.

“Roli i misionit të OSBE-së në këto zgjedhje do të jetë vetëm në këshilla teknike për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, si dhe vetëm në ditën e zgjedhjeve do të ketë rol këshillues për këshillat e vendvotimeve apo ata që ne i quajmë si komisionarë”, sqaron Elezi.

Edhe zyrtarët e OSBE-së, me anë të një deklarate për media konfirmuar se në ditën e votimit do të ketë rol mbështetës në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Siç e dini, Komisioni Qendror Zgjedhor i ka kërkuar OSBE-së të ofrojë mbështetje në mbajtjen e zgjedhjeve me datë 19 maj në katër komuna në veri të Kosovës. Misioni do të ketë personel të vendosur në ditën e zgjedhjeve, në mënyrë që të ofrojë këshilla teknike dhe asistime gjatë procesit të votimit. Ky nuk është një mision observues/monitorues, mirëpo një mision teknik ndihmës”, thuhet në një deklaratë të OSBE-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës, vijnë pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm të këtyre komunave, të gjithë përfaqësues të Listës Serbe, më 26 nëntor të vitit 2018, si shenjë proteste ndaj vendosjes së taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë nga Qeveria e Kosovës.

Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhorë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjetet financiare për Komisionin Qendror Zgjedhor në shumën prej 471,484 eurosh dhe për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në shumën 18,618 euro.

Komento: