Ky është urimi i Avdullah Hotit për Krishtlindje

18:41 | 24 Dhjetor 2020

Urimi i Avdullah Hotit për Krishtlindje.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti ka uruar besimtarët katolikë për festën e Krishtlindjes duke thënë se këtë vit do të festohet ndryshe, pa përqafuar njëri-tjetrin.

“Sivjet, për shkak të pandemisë, jemi të detyruar të festojmë ndryshe, e jo sipas traditës tonë shqiptare duke e përqafuar njëri-tjetrin. Lutem që festat e tjera t’i kremtojmë në rrethana më të mira. Megjithatë, ne e përgëzojmë njëri-tjetrin me zemër, me lutje Zotit për paqe dhe begati për familjet tona dhe për mbarë njerëzimin. Për shumë mot”, ka thënë Hoti në një video-mesazh drejtuar besimtarëve.

“Sonte, besimtarët katolikë në gjithë botë e kremtojnë Krishtlindjen, ditën që simbolizon paqen mes Zotit dhe njerëzimit, dhe në mes popujve”.

“Tradita dymijëvjeçare e Krishterimit ndër shqiptarë është faktor përcaktues në karakterin tonë unik kulturorë dhe shpirtërorë. Ne jemi shembull i mirëkuptimit dhe i harmonisë në diversitet. Historia na ka përcaktuar që ne të kemi besime të ndryshme, por kjo asnjëherë nuk na ka penguar që ta duam edhe më shumë njëri-tjetrin, që t’i kremtojmë bashkë të gjitha festat tona”.

Hoti ka thënë se shqiptarët i kanë dhënë martirët e parë krishterimit.

“Në këtë festë të veçantë, ne kujtojmë me krenari se paraardhësit tanë iliro-dardanë dhanë martirët e parë të krishterimit në këtë pjesë të Evropës, Shën Florin dhe Shën Laurin. Nëpërmjet Shën Jeronimit, ne i dhanë botës perëndimore mesazhin e Ungjillit, ndërsa Selia e Shenjtë disa herë u udhëhoq nga papët iliro-shqiptarë”.

“Në kohët më të vona, kombi ynë i dha gjithë njerëzimit një model të dashurisë, mëshirës dhe urtësisë – Shën Nënë Terezën. Presidenti Rugova, i pati përzemër marrëdhëniet me Selinë Shenjtë. Miqësia e tij me Papa Gjon Palin II mbetet udhërrëfyes në marrëdhëniet tona me Vatikanin”.

Hoti ka falënderuar Kishën Katolike të Kosovës, që sipas tij, përherë ka qenë zë i arsyes, i dashurisë dhe i vëllazërisë ndërmjet etnive dhe religjioneve në vendin tonë duke thënë se bashkëpunimi i Ipeshkvisë me bashkësitë e tjera fetare është shembull edhe për vendet e tjera.

“Duke ju shprehur edhe një herë urimet më të mira të gjithë juve, vëllezër dhe motra të besimit katolik, uroj që kjo festë ta forcojë dashurinë në mes nesh dhe popujve anekënd globit. Sivjet, për shkak të pandemisë, jemi të detyruar të festojmë ndryshe, e jo sipas traditës tonë shqiptare duke e përqafuar njëri-tjetrin. Lutem që festat e tjera t’i kremtojmë në rrethana më të mira”.

“Megjithatë, ne e përgëzojmë njëri-tjetrin me zemër, me lutje Zotit për paqe dhe begati për familjet tona dhe për mbarë njerëzimin. Për shumë mot. Gëzuar Krishtlindjen”.

Komento: