Rashka e Serbisë ishte vendi kryesor ku serbët e Kosovës deri para pak javësh i regjistronin veturat me targa ilegale.
Por, kjo është ndaluar pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel nën insistimin e bashkësisë ndërkombëtare për ta shtyrë afatin e konvertimit të targave. Ekipi i RTK-së, ka qëndruar në këtë qytet të Serbisë dhe sjell detaje.
Një veturë me targa KM po pret që disa ditë të kryej procedurat e regjistrimit në një qendër të regjistrimit të automjeteve në Rashkë të Serbisë, siç ka përfunduar zakonisht procedurat e regjistrimit. Por, ajo nuk mund të pajiset me një stikers të ri për vazhdim të regjistrimit, sipas kushteve të reja të përcaktuara me marrëveshjen Kosovë – Serbi dhe një vendimi të evidentuar në gazetën zyrtare të Serbisë me numër nr. 135/22 të datës 06.12.2022.
Rregulli ka hyrë në fuqi vetëm për veturat që mbajnë regjistrime me emrat e Kosovës si PR, KM, PZ, PE, GL, ĐJ dhe UR, bazuar në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në fillim të këtij muaji në Bruksel.
Këto vetura mund të pajisen me një policë valide të sigurimit e cila iu vlen për Serbi, por nuk mund të vazhdojnë regjistrimin, e as nuk mund të kalojnë në shtete tjera të Ballkanit, përveç në Serbi dhe në Kosovë.
Qytetarët e as pronarët e kontrolleve teknike nuk pranojnë kurrsesi të flasin për televizionin e Kosovës. Por, jashtë kamerave, kanë treguar se targa të reja nuk jepen e as pronarët nuk mund të bëjnë shitblerjen e automjeteve e as të udhëtojnë askund. Po ashtu, nuk mund të marrin targa të reja nëse ndodhë që të humbasin targat e vjetra.
Një nga udhëheqësit e një qendre të Kontrolli teknik ka pranuar që ekipit të RTK-së, t’ia ofrojë një e mail që kanë marrë nga MPB që lidhet pikërisht me këtë çështje.
“Ju njoftojmë se në kontrollet teknike që janë të autorizuar për lëshimin e stikersave të regjistrimit, duke filluar nga data 07.12.2022 nuk do të do t’iu mundësohet zgjatja e regjistrimit të automjetit për automjetet që kanë targa me emërtimet e qyteteve dhe komunave në territorin e Kosovës PR, KM, PZ, PE, GL, ĐA dhe UR”, thuhet në njoftimin që kanë pranuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë, pronarët e kontrolleve teknike në Rashkë.
Ndërkohë ekipi ka kërkuar të marrë më shumë informacione edhe në qendrat e regjistrimit. Në një nga to, jashtë kamerës, janë shprehur se po që se do të flasin për një media të Kosovës do të kenë probleme.
Targat dhe librezat e qarkullimit të automjeteve, përveç në qendrat e kontrolleve teknike në Serbi lëshohen edhe në stacionet policore.
RTK ka pyetur në Ministrinë e Brendshme të Serbisë për këto çështje. Mirëpo askush nuk është përgjigjur pavarësisht insistimeve të RTK-së.
Ndërkohë, në një qendër të regjistrimit të automjeteve në Preshevë thonë se nuk kanë pasur asnjëherë kërkesa për të regjistruar vetura me targa që mbajnë emrat e qyteteve të Kosovës.
“Me targa të Kosovës deri më tani nuk kemi pasur rast të punojmë, kryesisht vetura lokale regjistrojmë”.
Ndryshe, veturat me targa serbe mund të regjistrohen në cilindo qytet të Serbisë në qendrat e kontrollit teknik të autorizuara për lëshimin e stikersave. Mjafton prezenca e pronarit apo personit të autorizuar. Por, ky rregull më nuk vlen për veturat me targa të qyteteve të Kosovës.