Ky grup ekspertësh do të kujdeset për kompleksin memorial “Adem Jashari” – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ky grup ekspertësh do të kujdeset për kompleksin memorial “Adem Jashari”

18:26 | 22 Shtator 2021

Për kompleksin memorial “Adem Jashari”, do të kujdesen disa ekspertë.

Në mbledhjen e dytë të Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” u formua Komisioni i ekspertëve që do të përgatisë bazën e nevojshme profesionale për vendimmarrjen e Komitetit, duke u siguruar që projekti për kompleksin memorial do të përmbushë të gjitha standardet ligjore dhe profesionale të vendit e ndërkombëtare.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, tha kryeministri Kurti.

Ai propozoi që javëve në vijim, në koordinim me Kryetarin e Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari dhe anëtarët e tjerë të familjes Jashari, Komiteti ndër-ministror në përbërjen e tij të plotë të zhvillojë një vizitë në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Duke folur për qëndrueshmërinë e ndërtesave brenda kompleksit memorial, kryeministri tha se janë angazhuar inxhinierët më të mirë të Kosovës, profesorët e nderuar të Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku njoftoi Komitetin mbi Raportin e vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, që u miratua unanimisht.

Me miratimin e këtij raporti, përfshi të gjeturat dhe rekomandimet e tij, Komiteti mandatoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme, përkatësisht ndërhyrjet emergjente në ndërtesat përkatëse.

U miratua edhe lista e profesionistëve të fushave të ndryshme të propozuar për Komisionin e Ekspertëve në përbërje:

Arkitekt/e konzervatorë:

Merita Augustini Nrecaj: Arkitekte konservatore me përvojë rreth 10 vjeçare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. E diplomuar në Universitetin Katolik të Luvenit në Belgjikë. Në veçanti njihet kontributi i saj profesional në kuadër të punës së komisionit profesional për vlerësim të projekteve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kujtim Elezi: arkitekt, i diplomuar në Universitetin e Vjenës, me përvojë në fushën e teorisë së arkitekturës. Fokusi i veprimtarisë së tij qëndron në arkitekturën moderne. Është ligjërues i lëndës Historia e Arkitekturës në Universitetin e Tetovës.

Rand Eppich: Arkitekt konservator nga SHBA, me përvojë 30 vjeçare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në më shumë se 20 shtete, me fokus të veçantë në zhvillimin ekonomik shoqëror duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore. Rand kaloi 13 vjet në Institutin e Konservimit të Getty dhe ka ligjëruar në Muzeun Britanik dhe universitete në Evropë, SHBA dhe Lindje të Mesme.

José Manuel Pagés Madrigal: Arkitekt nga Spanja dhe doktor shkence në fushën e Planifikimit Urban me 30 vjet përvojë në Evropë, Amerikë të Jugut, Afrikë dhe Lindje të Mesme. Madrigal është profesor i asociuar në Universitetin e Xhenovës, profesor i rregullt në Universitetin Gjerman në Kajro dhe njëherit edhe dekan i fakultetit të arkitekturës dhe planifikimit urban në Kajro.

Amra Hadzimuhamedovic është PhD në arkitekturë nga Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës. Ajo ka qenë ekspertja e angazhuar në procesin e zbatimit të Aneksit 8 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit për Bosnjë dhe Hercegovinën për integrimin e trashëgimisë kulturore në rimëkëmbjen e pasluftës. Ajo ka punuar në 90 projekte të menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe ka botuar mbi 70 shkrime akademike.

Historian

Jahja Drançolli albanolog, historian, profesor i shkencave ndihmëse të historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, anëtar i komitetit të projektit të UNESCO-së “Memorialet e Botës”. Gjatë viteve ka qenë bartës i një sërë projekteve nga lëmi i historisë dhe trashëgimisë kulturore, autor i shumë monografive shkencore, dhe më së 100 studimeve shkencore të botuara në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Itali, Gjermani e më gjerë.

Historian/e të artit

Rrezarta Loxha Vitaku: etnologe antropologe, e specializuar në fushën e Historisë së Artit, me një përvojë të gjatë në fushën e mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Udhëheqëse e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

Arsim Canolli: Profesor Arsim Canolli ligjëron katër lëndë të Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ka studiuar për antropologji në Mbretërinë e Bashkuar në Kolegjin Universitar në Londër (UCL). Profesor Canolli është autor i disa librave dhe eseve, përfshirë librat ‘Teoritë antropologjike – hyrje e shkurtër’ dhe ‘Flija: vrojtim etnografik’.

Muzeolog/e

Gilly Car: anëtare dhe drejtuese e studimeve të Arkeologjisë në kolegjin St. Katarinë të Kembrixhit. Fusha e hulumtimit të saj përfshin arkeologjinë, studimet e trashëgimisë, historia dhe studimet e Holokaustit, me interes të veçantë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Njihet për punën dhe interesimin e saj në hulumtimet rreth temave të burgosjes, internimit gjatë kohës së luftës, dhe aktualisht është duke punuar në një vëllim të redaktuar me Rachel Pistol mbi internimin civil nga 1939-1945. Studimet e kaluara të saj janë fokusuar në trashëgiminë e okupimit gjerman dhe historinë dhe memorien e rezistencës gjatë okupimit gjerman.

Erëmirë Krasniqi: hulumtuese dhe kuratore e diplomuar nga Kolegji Bard në Berlin. Ka një përvojë në fushën e muzeologjisë dhe praktikave kuratoriale, së fundmi përmes angazhimit në kuadër të Iniciativës për Histori Gojore, për dokumentim të historisë të gjysmës së shek. 20 në Kosovë.

Blerta Hoçia: e diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Florencë, ka një përvojë të gjatë në kurimin e ekspozitave artistike në Shqipëri, në veçanti në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Praktika e saj profesionale fokusohet në procesin kreativ të memories, duke punuar në arkiva personale si dhe ato analoge / digjitale publike.

Inxhinier/e e ndërtimtarisë por me përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore

Bujar Nela: Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë.

Fatos Tahiri: Inxhinier i ndërtimtarisë, i specializuar në inxhinieri sizmike, me përvojë në fushën e ndërtesave tradicionale.

Arkitektë të peizazheve historike

Carlo Bruschi: arkitekt nga Roma dhe anëtar i federatave, shoqatave dhe komiteteve të shumta në Itali dhe Evropë. Me gati katër dekada përvojë, Bruschi ka punuar në fushën e arkitekturës së peizazhit, përfshirë projektim dhe zbatim për zona të parqeve, zonave turistike, zona të arsimit të lartë, zona të banimit, zona të industrisë, zona të infrastrukturës së transportit, dhe zonave ushtarake. Ai ishte po ashtu ligjërues në universitete prestigjioze Italiane.

Luca Molinari: Molinari është PhD i filozofisë i specializuar në teorinë dhe historinë e arkitekturës në Universitetin Teknik të Delft-it në Holandë, është autor dhe fitues i çmimeve të arkitekturës. Ai është profesor në universitetin italian Luigi Vanvitelli dhe po ashtu drejtor shkencor i muzeut etnografik M9 në Mestre të Venecias. Molinari po ashtu ka studio private në Milano përmes së cilës zbaton projekte të rëndësishme muzeale dhe të fushave të tjera të kulturës.

Franco Zagari: Zagari është themelues dhe drejtor i departamentit të peizazhit dhe po ashtu profesor i arkitekturës së peizazhit në Universitetin Mediterranea në Reggio Calabria të Italisë. Përveç përvojës profesionale si arkitekt, Zagari ka realizuar dhe publikuar shumë ese dhe filma mbi peizazhin, si dhe është fitues i çmimeve prestigjioze evropiane.

Komento: