Ministria e Ekonomisë përjashton këtë grup të konsumatorëve nga reduktimet e rrymës
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se konsumatorët e lidhur në linjën e bizneseve që nga fillimi i kësaj jave do të përjashtohen nga reduktimet e energjisë elektrike.
Ky vendim është marrë duke u bazuar në udhëzimin administrativ mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente.
“Megjithatë, duke pasur parasysh situatën e rënduar energjetike, lusim të gjithë bizneset që të kursejnë energjinë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të evituar rritjen e konsumit. Rritja e dukshme e konsumit rrezikon ta bëjë të pamundur mbrojtjen e këtyre konsumatorëve gjatë muajve të dimrit”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Konsumatorët e lidhur në linjën e bizneseve do të mbrohen nga reduktimet
Nr.90/22 Prishtinë, 30.08.2022 – Ministria e Ekonomisë është duke monitoruar nga afër situatën e rënduar energjetike në vend të krijuar si pasojë e krizës energjetike botërore, si dhe pasojat që kjo situatë ka shkaktuar tek sektori i industrisë së vendit.
Duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ (MZhE) Nr. 04/2017 mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente, si dhe me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, në veçanti të sektorit të industrisë, Ministria e Ekonomisë ka marrë vendim që konsumatorët me dalje të dedikuara për biznese të hyjnë në listën e konsumatorëve të mbrojtur.
Rrjedhimisht, këta konsumatorë që nga fillimi i kësaj jave do të përjashtohen nga reduktimet e energjisë elektrike për aq sa është e mundur nga ana e Furnizuesit të Shërbimit Univerzal (FShU).
Megjithatë, duke pasur parasysh situatën e rënduar energjetike, lusim të gjithë bizneset që të kursejnë energjinë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të evituar rritjen e konsumit. Rritja e dukshme e konsumit rrezikon ta bëjë të pamundur mbrojtjen e këtyre konsumatorëve gjatë muajve të dimrit.