Abortet mund të ndodhin sërish në Arizona, të paktën hë për hë, pasi një gjykatë apeli të premten bllokoi zbatimin e një ligji që e kriminalizonte pothuajse tërësisht procedurën.
Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit të Arizonës u pajtua me organizatën Planned Parenthood, që një gjyqtar nuk duhej të kishte hequr urdhrin prej dekadash që pengonte vendosjen e ligjit të vjetër.
Ky urdhër i shkruar nga gjyqtari kryesues Peter J. Eckerstrom, thoshte se Planned Parenthood dhe filiali i saj në Arizona kishin treguar se ka të ngjarë të mbizotërojnë në një apelim të një vendimi nga gjyqtari në Tucson, për të lejuar zbatimin e ligjit të vjetër.
Organizata, kishte argumentuar se gjyqtari i gjykatës më të ulët duhet të kishte marrë në konsideratë një sërë ligjesh që kufizojnë abortet e miratuara, që kur u vendos urdhri origjinal pas vendimit të Gjykatës së Lartë të ShBA-së në vitin 1973 në Roe kundër Wade që thoshte se gratë kanë të drejtë kushtetuese për një abort.
Këto ligje përfshijnë një vendim të ri që bllokon abortet pas 15 javësh të shtatzënisë që hyri në fuqi muajin e kaluar. Kufiri i mëparshëm ishte 24 javë, standardi i qëndrueshmërisë i vendosur nga rastet e Gjykatës së Lartë të SHBA-së tashmë të anuluara.