Ky shtet mund të mbetet pa ujë brenda 25 vjetëve të ardhshme

14:39 | 19 Mars 2019

Anglia mund të mbetet pa ujë brenda 25 vjetëve të ardhshme.

Shefi i Agjencisë së Mjedisit ka paralajmëruar se Anglia mund të mbetet pa ujë në 25 vjetët e ardhshëm. Sir James Bevan ka thënë se kërkesa për ujë nga popullsia në rritje e ka kaluar sasinë e ujit që është në dispozicion për shkak të ndryshimeve klimatike.

Sidoqoftë, ai ka deklaruar kjo situatë mund të anashkalohet nëse ndërmerren masa për ta zvogëluar sasinë e ujit të shpenzuar për një të tretën dhe përmes rritjes së prodhimit të ujit të pijshëm për 50 për qind. Sipas tij, në këto masa duhet të përfshihen edhe mbushja e rezervuarëve të mëdhenj, përpunimi i ujit të detit dhe ndërtimi i rrjetit shpërndarës nëpër tërë vendin.

“Rreth 25 vjet më vonë, nuk do të kemi ujë të mjaftueshëm për t’i plotësuar nevojat tona nëse nuk marrim masa për ta ndryshuar situatën”, deklaroi Bevan në konferencën “Waterwise”, e cila u mbajt në Londër.

“Shfrytëzimin e tepruar të ujit duhet ta trajtojmë si aq të papranueshëm sa pirjen e duhanit afër një foshnjeje apo hedhjen e qeseve të plastikës në det”, tha ai.

Popullsia e Britanisë së Madhe pritet të rritet nga 67 në 75 milionë deri në vitin 2050. Në këtë mënyrë, kërkesa për ujë do të rritet përtej kapacitetit aktual. Bevan tha se një person shpenzon mesatarisht 140 litra ujë në ditë dhe kjo sasi mund të zvogëlohet në 100 litra në ditë në 20 vjetët e ardhshëm përmes përdorimit më efektiv të ujit në shtëpi dhe kopshte, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Komento: