La Liga jep ‘dritën jeshile’ për Dani Olmo, mund të luajë qysh sot për Barcelonën

11:44 | 27 August 2024

“Telenovelës” Dani Olmo duket se i ka ardhur fundi… Barcelona, siç raportohet nga mediat spanjolle, do të ketë “dritën jeshile” nga La Liga për ta regjistruar blerjen e re të kësaj vere, falë “nokautit” të Andreas Christensen, kostoja buxhetore e të cilit, sipas rregullores, mund të përjashtohet për katër muaj duke filluar nga dita e sotme.

Kujtojmë se danezi është dëmtuar së fundi dhe nuk mund të luajë. Prandaj, klubi blaugrana do të jetë në gjendje të përdorë 80% të tarifës së mbrojtësit danez për të regjistruar Olmon deri në fund të vitit.

Sidoqoftë, ekziston një mister që ka të bëjë me gjendjen e Christensen. Barcelona ka paraqitur raporte mjekësore në La Liga, duke vërtetuar qëndrimin 4-mujor të tij jashtë fushave për shkak të problemeve me tendinën e Akilit.

Zëra pranë danezit pretendojnë se dëmtimi i tij është më pak i rëndë, ndaj mbrojtësi mund të kthehet pas rreth një muaji. Fakti është se, për momentin, Dani Olmo do të mund të debutojë rregullisht me fanellën blaugrana të martën, kundër Rayo Vallecano.

Komento: