
Xhamia “Ebu Beker Es-Siddik” në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë po përballet me mungesën e hapësirës për t’iu bërë vend të gjithë besimtarëve gjatë faljes se namzit për shkak të kërkesave shumë të mëdha.
Kjo ka bërë që xhemati i kësaj lagjeje të ndërmarrë një hap konkret, duke nisur një peticion përmes të cilit kërkohet nga Komuna e Prishtinës që të caktojë një lokacion të ri për ndërtimin e një xhamie më të madhe në këtë zonë të banuar.
Sipas organizatorëve, një numër i madh i banorëve janë përgjigjur pozitivisht këtij peticioni dhe e kanë nënshkruar atë, duke shprehur mbështetje për ndërtimin e një objekti të ri fetar që do të përmbushë nevojat e komunitetit musliman në këtë lagje.
Banorët thonë se kërkesa e tyre është e drejtë dhe e domosdoshme, duke marrë parasysh rritjen e popullsisë në Bregun e Diellit dhe pamundësinë që xhamia ekzistuese të përmbushë kërkesat për hapësirë gjatë faljeve, veçanërisht në namazet e xhumasë dhe festave.
Tani, sytë janë drejtuar kah institucionet komunale, nga të cilat kërkohet që të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. /ORAinfo/