Lajçak: Do të thërras takim për dinarin nëse palët tregojnë gatishmëri për marrëveshje

23:33 | 19 Maj 2024
lajcak:-do-te-therras-takim-per-dinarin-nese-palet-tregojne-gatishmeri-per-marreveshje

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë se është i gatshëm të organizojë një takim tjetër mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit, me kusht që ata të tregojnë gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje.

Ai përmes një postimi të publikuar të dielën mbrëma në Facebook ka shkruar se gjatë javës ka zhvilluar takim me Besnik Bislimin si kryenegociator i Kosovës dhe Petar Petkoviqin e Serbisë, porse nuk është arritur asnjë marrëveshje.

“Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për atë që e shoh si raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si do të ndikojë kjo në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë. Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje”, ka shkruar ai.

Gjatë javës është mbajtur takimi i shtatë i cili temë kishte çështjen e dinarit, por nuk ka pasur marrëveshje nga takimi./Front Online/

Komento: