Lajçak: E gjithë vëmendja të jetë në implementimin e marrëveshjes së dakorduar

20:48 | 11 Maj 2023

Lajçak: E gjithë vëmendja të jetë në implementimin e marrëveshjes së dakorduar.

Miroslav Lajçak, ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi ka njoftuar lidhur me takimin që sot pati me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, në orët e hershme të mëngjesit, si dhe më vonë me zëvendëskryeministrin Bislimi.

Ky takim i emisarit Lajçak erdhi disa ditë para takimit tjetër në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, ku zëvendësministri Bislimi do të takohet me shefin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, shkruan Reporteri.

Ai tha se me kryeministrin Kurti ka diskutuar për pritjet nga ky takim, si dhe theksoi se e gjithë vëmendja duhet të jetë në implementimin e marrëveshjes së dakorduar në Bruksel, e pastaj edhe në Ohër.

“Përpara takimit të kryenegociatorëve të javës së ardhshme, unë vizitova Kosovën sot. Diskutova pritshmëritë për javën e ardhshme. Vëmendja jonë e plotë tani duhet të jetë në normalizimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të Ohrit”, ka njoftuar Lajçak në Twitter, i cili nesër do ta vizitojë edhe Beogradin.

Ndërkaq në deklarimin e tij para mediave pas takimit gati dy-orësh me Kurtin, Lajçak ka thënë se kishte diskutime intensive dhe të rëndësishme për hapat tutje në rrugën drejt normalizimit.

I pyetur se a mund të vijë deri te tensionimi i situatës në veri, pas betimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, Lajçak tha se janë dy rrugë përpara: normalizim ose konfrontim, dhe se kjo e fundit nuk është në interes të askujt.

“Mund të kemi normalizim ose konfrontim dhe ne duam të përkushtohemi plotësisht në normalizim. Tensionet nuk janë në interes të askujt”, u shpreh Lajçak.

Komento: