Lajçak: Ekipi menaxhues do ta prezantojë sot draft-statutin e Asociacionit, as ne nuk e dimë çfarë ka në të

13:15 | 02 May 2023

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, përpara takimit të sotëm të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, tha se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është paralajmëruar se do të prezantohet sot, duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.

Lajçak në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve Hina, tha se Ekipi menaxhues do të prezantojë sot draft-statutin, por ka shtuar se as ai nuk e di se çfarë ka në të.

“Ekipi menaxhues do të prezantojë draftin. Ne nuk e dimë se çfarë ka në të, por ky duhet të jetë fillimi i procesit. Në fund të fundit, ne duhet të kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, për Kosovën dhe Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm”, tha Lajçak.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ende nuk e ka parë draft statutin e Asociacionit të komunave me shumë serbe që do të paraqitet në Bruksel.

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave”.

“Megjithatë, ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme.

Një rund i ri i dialogut, i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet ditën e sotme në Bruksel. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thirrur një takim për në orën 18:00, ku do të marrin pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç ka njoftuar Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme të premten, në tavolinë do të jenë dy tema, draft statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Deklarata për Personat e zhdukur.

Nga takimi në Ohër kanë kaluar 45 ditë dhe në atë të sotmin do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes së arritur atje.

Komento: