Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur para mediave pas takimit që pati sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai nuk dha shumë detaje të takimit, përveçse tha se ka progres në këto bisedime që po i zhvillon shpesh së fundi, raporton Express.
Lexo Edhe:
“Nuk do të jap detaje, por takimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe ne jemi duke bërë progres në bisedimet tona. Kjo ndoshta ajo çka mund të them”.
Lajçak u pyet edhe për kërkesën që BE dhe SHBA i kanë bërë Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave. Por, ai s’tregoi shumë.
“E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë”.
Për draftin mbi statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që u hartua nga një organizatë gjermane, Lajçak tha se nuk kishte njohuri para se ai të publikohej në mediat e Kosovës.
Megjithatë, ai tha se gjithkush është i lirë të hartojë drafte të tilla, por siguroi se BE-ja nuk ia kërkon askujt ta bëjë këtë.
“Unë e kam parë atë nga mediat tuaja, nuk isha i informuar për të më herët, nuk është ndarë me ne. Dhe është në rregull, kushdo që do të bëjë drafte është i mirëseardhur. Por, ne nuk jemi duke i kërkuar askujt ta bëjë këtë në emër tonin”.
Për atë se a duhet që marrëveshja përfundimtare të ketë edhe njohjen reciproke mes Serbisë, Lajçak tha se këtë nuk e imponon, por shtoi se kjo është në dorën e dy shteteve fqinje që të vendosin.
“Këtë duhet ta vendosë Kosova dhe Serbia, nuk duhet të vendos unë në emrin tuaj”.