Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar së në kryeqytetin serb Beograd, është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.
Lajçak në Twitter ka thënë se takimi i paralajmëruar të hënën në nivel kryenegociatorësh është mundësi e mirë për t’i adresuar çështjet e dialogut.
“Në Beograd u takova me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin Petar Petkoviq për të diskutuar rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes. Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për të rënë dakord për hapat konkretë të ardhshëm” – ka shkruar ai.
Lajçak dje ka qëndruar në Kosovë, ku ka takuar kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, përfaqësuesit e shoqërisë civile në veri si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.
Lajçak, gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se kishte diskutime intensive dhe të rëndësishme me kryeministrin Kurti për hapat tutje në rrugën drejt normalizimit.
I pyetur se a mund të vijë deri te tensionimi i situatës në veri, pas betimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, Lajçak tha se janë dy rrugë përpara: normalizim ose konfrontim, dhe se kjo e fundit nuk është në interes të askujt.
“Mund të kemi normalizim ose konfrontim dhe ne duam të përkushtohemi plotësisht në normalizim. Tensionet nuk janë në interes të askujt”, u shpreh Lajçak.
E nga Mitrovica, Lajçak ka shprehur shqetësim lidhur me situatën në veri.
Të enjten, Lajçak u takua me përfaqësues të veriut ku tha se u shqetësua nga ajo çka dëgjoi.
Ai bëri thirrje që vëmendja të jetë te normalizimi i raporteve dhe që të evitohet përshkallëzimi.
“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me përfaqësues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi ai në Twitter.