Lajçak paralajmëron fillimin e përgatitjeve për një takim Bislimi-Petkoviq gjatë javëve të ardhshme

21:19 | 06 Tetor 2024
lajcak-paralajmeron-fillimin-e-pergatitjeve-per-nje-takim-bislimi-petkoviq-gjate-javeve-te-ardhshme

Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka paralajmëruar për javën që vjen nisjen e përgatitjes së një takimi në nivel kryenegociatorësh në mes Kosovës dhe Serbisë, që do të zhvillohet gjatë javëve të ardhshme.

Lajçak gjatë përmbledhjes së aktiviteteve të tij përmes një postimi në Facebook, të dielën, paralajmëroi takim në mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

“Këtë javë që vjen, do të fokusohem në përgatitjen për takimin e radhës të negociatorëve kryesorë në Bruksel, të cilin do të dëshiroja ta organizoja në javët e ardhshme”, ka shkruar Lajçak, ku paraprakisht tregoi për vizitën e tij që kishte në Mal të Zi, këtë javë.

Ndryshe, dialogu Kosovë-Serbi ëshë në ngërç tash e një kohë. Shumë diplomatë perëndimorë përmendin rrezikun që ngecja në dialogun do të tensionojë situatën në veri të Kosovës.

Ndërkaq, figura të pushtetit si Xhelal Sveçla e Ejup Maqedonci, gjatë panelit për çështjen e sigurisë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje këtë vikend, kanë thënë se situata në veri të Kosovës është e përmirësuar.

Ndërkohë, Serbia ka shtruar disa kërkesa për Kosovën që kërkon të zbatohen. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës e akuzon Beogradin për moszbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. /Gazeta Express

Komento: