Lajçak për bisedat me Epsteinin: Ndihem si idiot

12:26 | 03 Shkurt 2026
lajcak-per-bisedat-me-epsteinin:-ndihem-si-idiot

Diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, ka thënë se nuk i kujtohen bisedat me Jeffrey Epsteinin. Megjithatë, ai ka shtuar se duke i lexuar ato tash ndihet si idiot.

Ish-emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi u dorëhoq të shtunën nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico pas publikimit të komunikimeve të tij me të dënuarin për krime seksuale Jefrrey Epstein. Në dokumentet e publikuara, Lajçaku e Epsteini flisnin edhe për gra. Në një nga bisedat Epsteini i ofronte Lajçakut gra e ironizonte për to. Deri tash, Lajçaku nuk ka folur publikisht. E në një intervistë për emisionin “Otvorene” në Radio Sllovakia, ka thënë se nuk i kujtohen bisedat.

“Sinqerisht s’më kujtohen ato diskutime”, ka thënë ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, kur është pyetur për çështjen e grave në biseda. “As s’mund t’i konfirmoj, as t’i mohoj”.

Lajçaku ka thënë se ndihet “si idiot” kur i sheh ato biseda.

“Por kjo nuk më liron nga përgjegjësia. Unë tregova gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Mesazhet s’ishin asgjë tjetër përveçse ego e çmendur mashkullore – shaka mashkullore të vetëkënaqësisë”, ka thënë ai.

Por ka deklaruar po ashtu se falë Epsteinit ka njohur shumë njerëz me të cilët ka krijuar kontakte. Ka refuzuar se e ka ditur për abuzimet seksuale.

“Ai kishte rrjet të gjerë të kontakteve politike. Sot, kur i shoh ato, e shoh se ishte ai që fliste më shumë për ato raporte, që inicionte takime, por asgjë më shumë se fjalë nuk ka pasur”, ka thënë Lajçaku.

Biznesmeni amerikan Jeffrey Epstein ishte akuzuar se vajzat e mitura i dërgonte në ishullin e tij privat “Little Saint James” në Karaibe, ku i abuzonte seksualisht dhe i përdorte për trafikim ndërkombëtar, ndërsa përdorte lidhjet me njerëz të fuqishëm për të mbuluar veprimtaritë e tij. Epstein u vetëvra më 2019, teksa ishte në burg.

Autoritetet amerikane ndërkohë kanë publikuar miliona dokumente që lidhin Epsteinin me emra të ndryshëm politikë në të gjithë botën.

Komento: