Lajçak për sul*min e Banjskës: E dimë kush janë përgjegjësit, assesi s’duhet të kalojë pa pasoja e ndëshkim

22:44 | 04 Tetor 2024
lajcak-per-sul*min-e-banjskes:-e-dime-kush-jane-pergjegjesit,-assesi-s’duhet-te-kaloje-pa-pasoja-e-ndeshkim

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak ka thënë se është për keqardhje që përgjegjësit e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, ende nuk kanë dhënë llogari.

Lajçak tha se sulmi i Banjskës ka pasur një ndikim përcaktues në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Duke folur në Mal të Zi gjatë forumit “2BS”, Lajçak u shpreh se është për keqardhje që ende nuk ka llogaridhënie sa i përket sulmit që la të vrarë zyrtarin policor Afrim Bunjaku.

“Banjska ka pasur një ndikim shumë përcaktues në atmosferën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. BE ka qenë shumë e qartë se ata që janë përgjegjës, duhet të japin përgjegjësi. Ne e dimë kush janë këta njerëz, disa prej tyre kanë marrë përgjegjësi, është për të ardhur keq që nuk kemi parë asnjë llogaridhënie.”, është shprehur Lajçak.

Po ashtu sipas tij “gjëra si sulmi i Banjskës”, nuk duhet të kalojnë pa pasoja e pa ndëshkim:

“BE do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi, gjëra si Banjska nuk duhet të shkojnë pa pasoja, pa ndëshkim për ata që janë përgjegjës. Ka qenë një sulm i rëndë në atmosferën e rajonit dhe në marrëdhënie të mira”.

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sipas emisarit evropian, janë sfida më e madhe strategjike në rajon. Gjatë kësaj paraqitje, ai ka thënë se 18 muaj pas arritjes së Marrëveshjes në rrugën drejt normalizim, nuk është parë implementim.

“Vazhdoj të besoj që marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë përbën sfidën më të madhe strategjike në rajon. Kanë ndikim në gjithçka, duke nisur me bashkëpunimin rajonal dhe duke përfunduar me integrimin evropian. Vitin e kaluar arritëm diçka shumë të rëndësishme, Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit, që jep një trajektore shumë të qartë përpara normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht, sot 18 muaj më vonë kemi parë shumë pak implementim të marrëveshjes, që është zhgënjyese.”, tha Lajçak./Sinjali/

Komento: