Emisari sllovak i ngarkuar me çështje të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se para marrëveshjes për targat e veturave, që u arrit në Bruksel, kishte shenja të përgatitjes për konfrontime serioze.
Lajçak ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX bashkëpunon ngushtë me KFOR-in.
Ai ka thënë se BE e kupton shumë mirë gjendjen në veri.
“Ju e dini se ne kemi praninë tonë atje. Kemi praninë diplomatike Misionin e EULEX-it, atje është KFOR-it që bashkëpunojnë shumë ngushtë, prandaj unë besoj se e kuptojmë shumë mirë gjendjen atje. Dhe po, kur po i afroheshim disa prej këtyre afateve të fundit në muajt e kaluar ne pamë shenja të përgatitjes për konfrontime serioze. Ne e bëmë të qartë se kjo është e papranueshme”, ka deklaruar Lajçak për RTV21.
Lajçak ka thënë se askush në Evropë dhe në botën demokratike nuk mund ta kuptojë dhunën për shkak të targave dhe se do të ishte e papërgjegjshme nëse do të lejohej vrasja e njerëzve.
Ai ka theksuar se tani në radhë janë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se të dyja palët e kanë kuptuar se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen.