Lajm i keq për konsumatorët, rriten çmimet…

08:27 | 10 August 2019

Rriten çmimet e konsumit për 2.6 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin Korrik të vitit 2019.

Sipas këtij raporti, çmimet e konsumit janë më të larta në muajin korrik sesa vitin e kaluar.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 2,6% në muajin korrik 2019 krahasuar me muajin korrik 2018.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (14,0%), mishi (4,7%), perimet (1,2%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (1,7%), kafja, çaji dhe kakao (5,8%), pijet alkoolike (4,0%), duhani (3,1%), veshje (1,3%), këpucë (2,3%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (2,9%), energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (1,3%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (1,6%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (2,3%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,5%), blerja e automjeteve (1,0%), pushime të organizuara (7,5%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,8 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemët (-6,7%), shërbimet për transport (-4,2%)- (rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).

Ndërsa, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte -0,1% në muajin korrik 2019.

Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2019 krahasuar me muajin korrik 2018 ishte 2,6%.

Komento: