Lajm i keq për Kosovën, Zhegrovës po i ndodh e papritura të Juventus

14:18 | 21 Mars 2026

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franko Foda, të premten ka publikuar listën e të ftuarve për ndeshjen e play-offit të 26 marsit kundër Sllovakisë, ku i ftuar ishte edhe sulmuesi i krahut i Juventusit, Edon Zhegrova.

Por, raportimet e sotme nga Italia sjellim lajme jo fort të mira.

“Calciomercato”, duke iu referuar një raportimi të “La Gazzetta dello Sport”, thotë se Juventusi po përballet me një pengesë në minutën e fundit përpara ndeshjes së tyre në kampionat me Sassuolon.

Edon Zhegrova mbetet një dyshim i madh pasi pësoi një problem në orët e fundit.

“Anësori kosovar thuhet se ka pësuar lodhje muskulore, gjë që rrezikon seriozisht disponueshmërinë e tij për ndeshjen”, ka raportuar kjo gazetë,

Sipas medias italiane, gjendja e tij është nën vëzhgim të afërt nga stafi mjekësor i Bianconerëve, pasi theksohet se ngarkesa intensive stërvitore të ditëve të fundit ka bërë që lojtari të tregojë shenja lodhjeje që kërkojnë kujdes të madh.

“Stafi mjekësor ka këshilluar kujdes për të shmangur rrezikun e lëndimeve të mëtejshme, të cilat mund të rezultojnë në një periudhë më të gjatë jashtë fushe sesa pritej. Luciano Spalletti po e monitoron situatën nga afër. Qëllimi është të përcaktohet nëse Zhegrova do të jetë të paktën në gjendje të zërë vendin e tij në stol, por pasiguria mbetet në këtë fazë”.

“Vendimi përfundimtar do të merret pak para ndeshjes, kur lista e skuadrës të shpallet zyrtarisht”, ka shkruar “La Gazzetta dello Sport”.

Kujtojmë se në listën e publikuar nga Foda, mungojnë dy lojtarë kyç, Amir Rrahmani dhe Leon Avdullahu.

Komento: