Ligji për gjuhën shqipe hyn në fuqi së bashku me marrëveshjen për emrin e Maqedonisë.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe do të fuqizohet së bashku me marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.
Kjo marrëveshje, sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, por edhe zyrtarëve të Qeverisë pritet të miratohet në seancën e caktuar për 9 janar, ndërsa më pas së bashku me Ligjin e gjuhëve do të dërgohet për botim në Gazetën Zyrtare. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i pyetur të komentojë refuzimin e presidentit, Gjorge Ivanov për të dekretuar Ligjin për gjuhën, por edhe fazën e parë të Marrëveshjes me Greqinë, ka thënë se askush nuk do të mund të ndalojë fuqizimin e këtyre akteve ligjore.
“Nuk kam nevojë të merrem vesh me dikë kur janë në pyetje kompetencat kushtetuese të institucioneve. Presidenti Ivanov ishte i obliguar që këtë ta bënte, por nuk e bëri, kështu që konsideroj se është një çështje e absorbuar. Mendoj se askush nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e deputetëve dhe kjo edhe do të ndodhë”, ka deklaruar Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi është shprehur i bindur se amendamentet kushtetuese do të votohen në afatin e paraparë, ndoshta edhe më herët se 15 janari, pasi nuk pret debat nga deputetët, edhe për faktin se VMRO-ja opozitare ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në seancë, duke e quajtur farsë gjithë debatin për shkak të refuzimit të vërejtjeve të saj që kanë të bëjnë me kundërshtimin e Marrëveshjes për emrin, të cilën e vlerëson si “kapitulluese për vendin”.
Por, nga opozita shqiptare e cila edhe më parë ka pasur vërejtje për statusin e gjuhës shqipe, thonë se tashmë kanë hartuar amendamente me qëllim avancimin e gjuhës shqipe, përkatësisht barazinë e saj me gjuhën maqedonase, shkruan rel.
“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuhë tjetër zyrtare përveç gjuhës maqedonase është edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj latin. Pra, kërkojmë një ndryshim vetëm të paragrafit 2 të amendamentit 5 të Kushtetutës”, ka deklaruar Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa, parti kjo e cila vepron në dy pjesë, njëra në Qeveri, e tjetra në opozitë.
Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 14 mars ndërsa tre ditë më vonë presidenti Ivanov kishte njoftuar se refuzon dekretimin e tij. Ligji sërish është miratuar më 19 mars, por presidenti sërish ka refuzuar ta nënshkruajë atë edhe pse Kushtetuta e detyronte ta dekretojë pas kalimit të dytë në Kuvend.